Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin e fundit të mbajtur në Bruksel, as Bashkimi Evropian e as Serbia nuk paraqitën asnjë propozim.
Sipas Bislimit, BE-ja dhe Serbia në takimin e mbajtur dje këmbëngulën për të akomoduar kërkesën e Serbisë për t’u fokusuar vetëm në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Drafti i fundit i të dërguarit special të BE-së për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike, u nda me kryenegociatorin e Kosovës më 19 korrik. Ofronte një modifikim margjinal në krahasim me draftin e mëparshëm. Në takimin e nivelit të lartë me 14 shtator në Bruksel, vetëm Kryeministri i Kosovës prezantoi një draft substancial dhe gjithëpërfshirës. BE-ja dhe Serbia nuk paraqitën asgjë, por këmbëngulën për të akomoduar kërkesën e Serbisë për t’u fokusuar vetëm në AKSHS. Çdo raportim alternativ është një shtrembërim i qartë dhe i qëllimshëm i së vërtetës”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social X.