Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Serbia është përpjekur ta keqpërdorë çështjen e dinarit.
Bislimi thotë se kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë institucione të Serbisë në Kosovë.
“Fillimisht nuk kam qenë i përfshirë në asnjë diskutim për dinarin. Kam qenë i përfshirë në diskutime për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore për operacione me para të gatshme.
Ajo që ka ndodhë në Bruksel është kështu: që në takimin e parë ka qenë e qartë një gjë edhe Serbia e ka pranuar këtë, që nuk do të ketë më dërgesa cash të parave në Kosovë dhe që nuk do të ketë më përdorim të dinarit në Kosovë. E kanë pas të qartë dhe janë dakorduar. Prandaj çfarëdo konstatimi pas takimit të parë që ne po diskutojmë për dinarin dhe që ne po kemi progres se palët po përafrojnë qëndrime ka qenë i pasaktë”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri tha se Serbia është përpjekur ta keqpërdorë çështjen e dinarit për me siguru legalizim të prezencës së institucioneve serbe në Kosovë, dhe se ata nuk janë marrë asnjëherë me dinarin.
Bislimi gjithashtu tha se çështja e dinarit u shfrytëzua vetëm sepse ishte Kosova në proces të Këshillit të Evropës, dhe se urgjenca e parashtruar nga Serbia ka qenë false.