Bislimi dhe Petkoviq takohen javën e ardhshme, diskutojnë për dinarin

Bislimi dhe Petkoviq takohen javën e ardhshme, diskutojnë për dinarin

Sot, përfundon periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth çështjes së dinarit.

Ndërkohë që javën e ardhshme pritet të mbahet një takim i radhës mes kryenegociatorëve të dy palëve, ku pritet të diskutohet për modalitetin se Serbia do t’i dërgojë paratë komunitetit serb.

Kështu ka bërë të ditur këshilltari politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit, Klisman Kadiu.

“Këtë javë që vjen, pritet të mbahet takimi i radhës. Por, nuk është nesër”, tha Kadiu.

Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas tetë takimeve në Bruksel, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila tashmë ka hyrë në fuqi. Sipas saj, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro.

Për valutat të tjera, BQK ka vendosur të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitete të këmbimit valutor”.

Nga viti 2002, Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj, por krahas saj, në vendbanimet serbe është përdorur edhe dinari.

Related Articles