Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel – Dinari, tema e diskutimeve

Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel – Dinari, tema e diskutimeve

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet të takohen nesër në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak

Këtë e bëri të ditur më 19 mars emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit mes kryenegociatorëve në kryeqyendrën evropiane.

Lajçak në një postim në platformën “X” njoftoi se në mesin e temave të diskutuara në takim ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme.

Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Megjithatë, akoma nuk dihet nëse palët kanë respektuar afatet kohore. Nga ekzekutivi kosovar nuk është bërë e ditur nëse kanë dërguar propozime për dinarin, duke u kapur pas planit 10-pikësh të BQK-së që mundëson një fazë lehtësuese kalimtare – do të zgjasë jo më shumë se tre muaj, në mënyrë që qytetarët e komunitetit serb të mos dëmtohen nga zbatimi i vendimit.

Përderisa shefi i delegacionit kosovar njoftoi se palët duhet t’i dorëzojnë propozimet e veta mbi çështjen e ndalimit të dinarit serb, shefi i delegacionit serb theksoi të ketë këmbëngulur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse, sipas tij, ky mekanizëm do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha “institucioneve serbe” në Kosovë.

Lajçaku fillimisht priti në takim kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin kosovar, pastaj zhvilloi një takim me delegacionin serb të udhëhequr nga Petkoviçi. E ky cikël i ri i negociatave në nivel të kryenegociatorëve erdhi në mes të paralajmërimeve të zyrtarëve evropianë për rritje të presionit ndaj të dyja palëve për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë.

“Unë prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit për operacionet me para të gatshme. Ne u dakorduam që të vazhdojmë këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, deklaroi Lajçaku pas takimeve që zgjatën disa orë.

Në fakt, ky ishte takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit. Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete. Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.

Related Articles