Bislimi: Kosova i dënon përpjekjet e Serbisë për ta ndaluar donacionin e dedikuar për bujqit në Luginë

Bislimi: Kosova i dënon përpjekjet e Serbisë për ta ndaluar donacionin e dedikuar për bujqit në Luginë

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislmi, është shprehur se Qeveria e Kosovës i dënon ashpër përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqve shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ai tha se ky donacion i iniciuar me kërkesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar, synon që të përmirësoj jetën e komunitetit shqiptar dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të rajonit.

Tutje, Bislmi u shpreh se komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, janë ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ndër më të varfrat, me papunësi të lartë e veçanërisht tek të rinjtë.

“Më 26 tetor 2024, Këshilli Kombëtar Shqiptar shpalli thirrjen publike për bujqit, duke pranuar mbi 1,178 aplikime. Ndërkohë, Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar këtë proces, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike”.

“Pikërisht më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i është mbivendosur privimi nga mundësia e ndihmës nga Republika e Kosovës. Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pengojë mbështetjen tonë për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Bislimi.

Më tej ai ftoi BE-në, OSBE-në, Quint-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorojnë këtë situatë dhe të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Qeveria e Kosovës qëndron e përkushtuar për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe identitetin kombëtar, kulturor e gjuhësor”, tha ai. /Gazeta Enigma

Related Articles