Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Punë Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Leonidas Rokanas, i shoqëruar edhe shefja e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.
Palët biseduan mbi bashkëpunimin dhe miqësinë mes Kosovës dhe Greqisë. Rokanas tha se vendet tona duhet të intensifikojnë punën dhe angazhimin me njëra-tjetrën.
Objektivi final për Kosovën duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian, perspektivë kjo e nisur në Selanik në vitin 2003 për Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që të ecin së bashku në harmoni dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Bislimi tha se qëllimi final i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, e tashmë po ndërmerret hapi i parë, që është ai i aplikimit për anëtarësim.
Në ndërkohë, vendi po ecën përpara me ritëm të shpejtë në avancimin e agjendës evropiane dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, ku dallohet puna e bërë nga Qeveria në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, demokratizimin e shumë fusha të tjera.
“Ne jemi të gatshëm, që përmes përkushtimit tonë, ta përshpejtojmë progresin në këto fusha dhe rrjedhimisht rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi.
Është e rëndësishme që vendet tona të vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të zgjerojnë hapësirat e ndërveprimit, veçanërisht në sferat sociale, kulturore, por edhe në përballimin e sfidave të përbashkëta si kriza energjetike dhe tranzicioni drejt energjisë së gjelbër. Ky bashkëpunim i ngushtë do të kontribuonte në krijimin e urave mes vendeve dhe njerëzve tanë, shtoi ai.
Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi, ritheksoi angazhimin në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, mbështetjen e fuqishme të qytetarëve ndaj integrimit në BE, përkushtimin e Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore.