Bizneset e Kosovës i kërkojnë ZRrE-së ta pezullojë vendimin për daljen në tregun e lirë

Bizneset e Kosovës i kërkojnë ZRrE-së ta pezullojë vendimin për daljen në tregun e lirë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës, si përfaqësuese e interesave të sektorit privat, i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të pezullojë vendimin për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, që parashihet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025, për bizneset që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro.

Ky vendim, në rrethanat aktuale, paraqet rrezik serioz për qëndrueshmërinë financiare të bizneseve dhe për stabilitetin ekonomik të vendit. Ne kemi marrë shqetësime të shumta nga anëtarët tanë, të cilët e konsiderojnë këtë hap të parakohshëm dhe me pasoja të rënda.


Arsyet kryesore të kërkesës sonë janë:

1. Çmime të papërballueshme: Ofruesit në tregun e lirë aktualisht ofrojnë çmime 200-300% më të larta se tarifat e deritanishme, duke rrezikuar rentabilitetin e bizneseve.

2. Rreziku për falimentim dhe humbje masive të vendeve të punës: Mbi 50,000 vende pune janë në rrezik, ndërkohë që prodhimi vendor humb konkurrueshmërinë.

3. Dominimi i furnizuesve të huaj: Ky vendim rrit varësinë nga tregjet e jashtme dhe dobëson sigurinë energjetike të vendit.

4. Afati i pamjaftueshëm i përgatitjes: Bizneset janë njoftuar vetëm 3 muaj para zbatimit, çka është tejet e pamjaftueshme për një proces kaq kompleks.

5. Mungesa e konsultimit: Nuk ka pasur proces gjithëpërfshirës me komunitetin e biznesit për këtë vendim.

Statistikat tregojnë se importet janë rritur me 16% ndërsa eksportet kanë rënë me 6% vetëm në 4 muajt e parë të vitit. Nga 1 qershori, prodhuesit vendorë do të detyrohen të blejnë energji në tregun e lirë me çmim të paktën 2.5 herë më të lartë.

A e kuptojmë rrezikun?
– Produktet tona nuk do të mund të konkurrojnë jashtë vendit;
– Eksportet do të bien edhe më shumë;
– Dhjetëra fabrika janë në prag të mbylljes;
– Qindra punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë.

Ky vendim godet direkt zemrën e ekonomisë së Kosovës.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka kundërshtuar këtë vendim që në fazën e konsultimeve dhe ka kërkuar që bizneseve t’u jepet një afat minimal prej 2 vjetësh për përgatitje, në mënyrë që tranzicioni në tregun e lirë të bëhet në kushte të qëndrueshme dhe të menaxhueshme.

Prandaj, kërkojmë publikisht pezullimin e zbatimit të këtij vendimi për së paku 2 vjet, për të mbrojtur qëndrueshmërinë e sektorit privat, për të parandaluar falimentimet dhe për të siguruar një tranzicion të drejtë e të barabartë.

Bizneset nuk do të heshtin. Jemi të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë.
Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim dhe konsultim me të gjitha institucionet përgjegjëse për të gjetur zgjidhje në interes të bizneseve, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së vendit tonë.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës

Related Articles