Prokuroria Themelore në Prishtinë, në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut për vrasjen e biznesmenit Beri Rexhepi, i cili konsiderohej i zhdukur që nga prilli i vitit 2021.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti, bëri të ditur se vrasja është kryer për qëllime të përfitimit material, gjegjësisht shumës prej 30 mijë eurove, derisa ka konfirmuar se mbetjet mortore që janë gjetur në Novobërdë janë Bedri Rexhepit.
“Dje kam informuar familjarët e viktimës se në bazë të të gjeturave antropologjike mjekoligjore, është vërtetuar identiteti i viktimës. Prandaj, sigurimi i të gjitha provave dhe dëshmive mirë të bazuara, kam arritur të ngrejë aktakuzë kundër dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprës penale ‘Vrasje e rëndë me bashkëkryerje’ dhe ‘dëmtim i kufomave’. Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale, pas një hetimi për 18 muaj rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30 mijë euro, të cilat të akuzuarit kanë besuar se i ndjeri i posedon dhe më pas kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, ka thënë ai.
Prokurori Armend Hamiti, njoftoi se zyrtarisht, trupi i të ndjerit është gjetur më 30 shtator të këtij viti.
“Në aktakuzë thuhet se 29 dëshmitarë relevantë janë paraparë në aktakuzë. Janë marrë edhe shumë njerëz të tjerë në pyetje, por këta 29 na kanë ndihmuar në pistat e hetimit. Kemi dalë në teren, kemi bërë ekzaminim të telefonave të te pandehurve nëpërmjet antenave. Janë siguruar lëvizjet e të pandehurve në ditën kritike. Tash është bërë edhe ngritja e aktakuzës ku do të fillojë procesi gjyqësor”, tha ai.