Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për futjen në listë të zezë të kriminelëve serbë të veriut, Milan Radojiçiç, Zvonko Veselinoviç si dhe anëtarëve të bandës së tyre, ka thënë se ky vendim vjen si një akt për të thyer të gjitha lidhjet mes aktivitetit kriminal dhe korrupsionit.
Kështu është shprehur Blinken përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
“SHBA-të vendosën sanksione ndaj 16 individëve dhe 24 subjekteve të lidhura me aktivitetet e krimit të organizuar transnacional në Evropë dhe Hemisferën Perëndimore. Është një prioritet i sigurisë kombëtare për të luftuar korrupsionin, i cili lehtëson krimin e organizuar transnacional”, ka thënë ai.
Në njoftimin e Departamentit Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja thuhet se Zvonko Veselinoviç si lider i Grupit të Organizuar Kriminal, është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.
“Veselinoviç është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Departamentit.
Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.
Ndryshe, grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.