Bogujevci mban fjalim në Këshillin e Evropës për dhunën seksuale gjatë viteve 90-ta në Kosovë

Bogujevci mban fjalim në Këshillin e Evropës për dhunën seksuale gjatë viteve 90-ta në Kosovë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci po merr pjesë në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, ku po diskutohet mbi dhunën seksuale të lidhur me konfliktin.



Bogujevci u shpreh se duke ardhur nga një vend ku burrat dhe gratë kanë përjetuar dhunë seksuale në një konflikt të ndodhur jo shumë kohë më parë, nuk e ka menduar se sot do të fliste për një shtet tjetër të Evropës që sipas saj, po përjeton të njëjtin fat si Kosova.

“Duke ardhur nga një vend ku gratë, por edhe burrat, kanë përjetuar dhunë seksuale në një konflikt jo shumë kohë më parë, kurrë nuk e kam menduar se sot do të flisnim për një shtet tjetër në Evropë që po përjeton të njëjtin fat. Duke parë se çka po ndodhë në Ukrainë, shpresoj që ky raport do të shtyjë, jo vetëm shtetet anëtare të prioretizojnë çështjen, por dhe të vendosin mbështetjen e tyre aty,ku është nevoja, për të adresuar dhunën seksuale që po ndodhë në Ukrainë nga ushtria ruse” – tha Bogujevci.

Nënkryetarja e Kuvendit, thotë se nuk është hera e parë që dhuna seksuale është përdorur si armë lufte, duke rikujtuar përjetimet e Kosovës në vitet e 90-ta.

“Nuk është hera e parë që dhuna seksuale është përdorur si armë lufte. Ne e kemi përjetuar këtë në Ballkan në vitet e 90-ta, duke përfshirë edhe vendin tim. Ne duhet të sigurohemi që ata që planifikojnë të implementojnë këto strategji, të dënohen e që fatkeqësisht shumë shpesh nuk ndodh” – deklaroi Bogujevci.

“Duhet të jemi të fortë dhe të vendosur që ata që bëjnë këso krimesh të tmerrshme, të vendosen para tribunaleve, para gjykatave dhe të marrin akuzat që i meritojnë në lidhje me këto krime” – shtoi ajo.

Bogujevci theksoi se tashmë ekzistojnë instrumente për të mbështetur viktimat dhe sipas saj, është me rëndësi që të mbijetuarit të dëgjohen. “Ne i kemi instrumentet në këto organizata që të mbështesim viktimat dhe duhet ta bëjmë pa hezituar. Dua të theksoj një aspekt tjetër të raportit për të cilin mendoj që është shumë me rëndësi, që të mbijetuarit të dëgjohen. Ne kemi shumë ide se çfarë duhet të vendoset në vend por, kur dëgjon të mbijetuarit dhe cilat janë nevojat e tyre, janë vendimtarë hapat të cilët ndërmerren në lidhje me ato nevoja”- përfundoi ajo.

Related Articles