Borrell i bën thirrje Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën

Borrell i bën thirrje Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jasthmë dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, i ka thënë Serbisë se përparimi i saj drejt integrimit në BE varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Borrell ka bërë të ditur se në javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi do të qëndrojnë i Dërguari i posaçëm i BE për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete. Prandaj unë dhe Lajçak do të vazhdojmë të angazhohemi me palët, e posaçërisht me Kosovën, e cila po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë evropiane, siç raportojnë mediat, ka mbajtur një konferencë të përbashkët me kryeministren serbe Ana Brnabiq, pas takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së në Bruksel.

Ai theksoi se “kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon, ata që festojnë për krimet dhe kriminelët e luftës dhe i mbështesin publikisht, si dhe ata që kërcënojnë stabilitetin dhe procesin e pajtimit në rajon, duhet ta dinë se kjo nuk është në përputhje me vlerat evropiane”.

“Ne i ndamë ato parime me kryeministren e Serbisë dhe jemi të sigurt se Serbia do të vazhdojë të ndjekë rrugën evropiane”, tha Borrell.

Kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Borrell theksoi se nevojitet të sigurohet përparim i shpejtë në procesin e normalizimit, në zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë dhe avansimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme.

Borrell ka përsëritur thirrjen që të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri tash në dialogun që e ndërmjetëson blloku evropian.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021. /Gazeta Enigma/.

Related Articles