Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell tha sot pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se i ka thënë këtij të fundit se s’ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë.
Borrell tha se s’ka datë të përcaktuar për takimin Kurti-Vuçiq, por shtoi se janë marrë vesh që të vazhdohet ky proces.
“Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër këtë dialog. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka alternativë tjetër. Duke arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra për ta marrë perspektivën evropiane. Prandaj për këtë unë e inkurajova Z.Kurti që të përfshihet në këtë çështje”, tha Borrell.
Ai tha se dialogu “është një nga çështjet më të rëndësishme që e diskutuam”.
Ai gjithashtu ia përmendi Kurtit besimin e madh që e mori nga qytetarët në zgjedhjet e fundit parlamentare. Borrell tha se qytetarët i besuan atij për ta shtyrë Kosovën drejt BE-së.
“Një person kur e merr një mandat kaq të fortë nga qytetarët, do të thotë se ata po ta ofrojnë një mundësi për ta shtyrë Kosovën drejt Bashkimit Evropian, standardeve evropiane dhe ne shpresojmë që ju do ta shfrytëzoni këtë mundësi”, tha Borrell.