Borrell, Serbisë: Nuk mund të hyni në BE pa sanksionuar Rusinë

Borrell, Serbisë: Nuk mund të hyni në BE pa sanksionuar Rusinë

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka paralajmëruar Serbinë se mosmiratimi i sanksioneve ndaj Rusisë rrezikon anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, shkruan Enigma.

Ai theksoi nevojën për të ndryshuar politikën e jashtme dhe për t’u përafruar me vlerat e BE-së, duke e quajtur pajtueshmërinë si treguesin më të rëndësishëm për kandidatët.

“Serbia duhet të ndryshojë shkallën e shtrirjes së politikës së jashtme. Herët a vonë, Serbisë do t’i duhet të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së. Përndryshe, anëtarësimi do të jetë në rrezik,” tha Borrell.

Ai tha se nuk mund të mbajë lidhje me Rusinë dhe të presë anëtarësimin në BE.

“Pajtueshmëria është treguesi më i rëndësishëm nëse kandidatët ndajnë vlerat dhe orientimin tonë politik”, tha kreu i diplomacisë evropiane.

Borrell, së bashku me Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelji, prezantuan paketën e zgjerimit të miratuar nga Komisioni Evropian, ku u konfirmua se Serbia nuk ka avancuar në harmonizimin e politikave të saj dhe ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë ngre shqetësime për drejtimin strategjik të vendit.

Paketën e zgjerimit e përbëjnë dhjetë vende, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Ukrainën, dhe theksohet se procesi vazhdon të jetë i bazuar në merita, me fokus në demokracinë dhe sundimin e ligjit. KE deklaroi se procesi i zgjerimit ka marrë një vrull të ri gjatë vitit 2023 dhe 2024.

Related Articles