Kafkën e kokës nuk e gjetën kurrë.
E përderisa ishte kështu, pjesa tjetër e eshtrave të burrit të Nura Mesanoviqit, të identifikuara 5 vjet më parë, nuk u varrosën asnjëherë.
Meqë pas kaq kohe kafka s’po gjendej, ajo vendosi ta organizojë ceremoninë mortore për të.
Njëjtë edhe për të vëllanë, të cilit, po ashtu, i mungojnë shumë pjesë të trupit
”Kemi pritur të gjejmë më shumë por nuk ndodhi kështu që vendosëm të varrosnim atë që kemi. Gjithashtu kam edhe një vëlla që nuk u gjet kurrë, dhe kam një vëlla tjetër që e varrosëm. më parë”, deklaroi Nura Mesanoviq, banore e Srebrenicës.
Pos familjarëve të Mesanoviqit, u varrosën edhe eshtrat e 48 viktimave tjera të masakrës së Srebrenicës, të identifikuara përmes analizës së ADN-së. Ne mesin e tyre edhe 3 adoleshentë, kockat e shpërndara të të cilëve u gjetën në disa vende përreth qytezës ku u krye masakra më e madhe në Evropë, nga Lufta e Dytë Botërore e këndej.