Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi lidhur me iniciativën “WE Finance Code”, e cila ka për qëllim përmirësimin e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u realizua gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) në Washington D.C, raporton Gazera Enigma.
Ky memorandum thekson angazhimin e BQK-së për të mbështetur zhvillimet në sektorin financiar, që synojnë rritjen e përfshirjes financiare për gratë në biznese të vogla dhe të mesme.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, në këtë ngjarje me Zëvendëspresidentin e BERZH-it, Mark Bowman, e vlerësoi këtë hap si një përparim të rëndësishëm për sigurimin e një qasjeje të barabartë në resurset financiare, veçanërisht për gratë ndërmarrëse.
Nisma “WE Finance Code” u lansua vitin e kaluar në takimet e Bankës Botërore në Marakesh dhe ka përfshirë rreth 30 banka qendrore dhe institucione rregullatore.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje gjatë takimeve vjetore thekson përkushtimin e BQK-së për të promovuar përfshirjen financiare dhe stabilitetin ekonomik në Kosovë.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan të punojnë së bashku për aktivitete konkrete që do të mundësojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke përfshirë organizimin e ngjarjeve të përbashkëta që kontribuojnë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta në sektorin financiar./GazetaEnigma/