Politikat e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump me të ardhur në pushtet, në fushën politike dhe ekonomike kanë prekur direkt edhe Kosovën, por pritet që edhe më tej vendimet e tij të ndikojnë direkt apo indirekt, shkruan Gazeta “Enigma”.
Nga shkrirja e USAID-it, e cila ka qenë një mbështetje kyçe për institucionet dhe bizneset në vend, deri te pezullimi i financimit për Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë, këto masa kanë sjellë pasiguri në fusha të ndryshme.
Një tjetër vendim që ka ndikuar indirekt në ekonominë kosovare është rritja e çmimit të aluminit, e cila ka prekur tregtinë dhe sektorin industrial. E përpos në vendet e BE-së, këto vendime pritet të ndikojnë edhe në Kosovë.
Njohësi i ekonomisë, Safet Gëxhaliu, thotë se po krijohet një model i ri i ekonomisë globale, që pashmangshëm do prek dhe Kosovën.
“Është më se e vërtetë që partneriteti gjeostrategjik por edhe ekonomik në ShBA është i një rëndësie të pa kontestuar jo vetëm për Kosovën por edhe për shtete të fuqishme qoftë në Evropë, në Azi apo në Afrikë dhe në këtë drejtim Kosova duhet të jetë e kujdesshme në avancimin e këtij partneriteti”, tha ai.
“Është e vërtetë që janë disa veprime që e karakterizojnë këtë politikë të kabinetit të ri presidencial të ShBA dhe në çfarëdo forme edhe Kosova është e prekur, në veçanti me ngritjen e fondeve përmes ndihmave që ka pasur bota nga USAID në veçanti nga ngritja e çmimeve apo taksës së re në metale, në alumin dhe hekur, por në të njëjtën kohë shohim edhe pezullimin e financimit të Zërit të Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë”, ka theksuar ai.
Gërxhaliu ka renditur disa sektorë që janë prekur nga shpërbërja e USAID-it.
“Në këtë drejtim duhet të kuptohet që USAID ka pasur një rëndësi shumë të madhe për Kosovën jo vetëm në aspektin e ngritjes së kapaciteteve institucionale duke filluar nga Ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Punëve të Jashtme, promovimi i ambientit biznesor, dixhitalizimit dhe shumë fusha tjera, por në të njëjtën kohë ka pasur rëndësi të madhe edhe në mbështetjen e sektorit privat, në veçanti në teknologji informative, në përpunimin e drurit, në panaire të ndryshme dhe në promovim të diplomacisë ekonomike të Kosovës kudo në botë”, deklaroi ai për “Enigmën”.
Tutje ai thotë se “Tërheqja e stafit nga USAID nëpër vende të ndryshme është një simptomë i cili jep pak shpresë për të besuar se pas disa muajve dhe ditëve mund të ketë diçka të re, por siç e dimë Amerika është shtet i mundësive dhe ndoshta gjërat do të ndryshojnë pasi atje ka një teori që thotë se “një moment e ndryshon krejt jetën”, ka përfunduar ai.
Shpërbërja e USAID-it rrit rrezikun për popullsitë e cenueshme të botës, përfshirë këtu edhe Kosova
Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Studime Evropiane dhe Global, Jeton Halimi, për Gazetën “Enigma” ka thënë se shkurtimet e buxhetit nga administrata e re e Trump do t’i dëmtojnë një pjesë të madhe të atyre që ishin duke u financuar nga jashtë, sidomos USAID-in, organizata jo qeveritare dhe disa media.
Sipas tij “këto vendime do të ndikojnë shumë edhe në normalitetin e atyre familjeve që kanë qenë duke punuar në USAID dhe kanë mbajtur familjet e tyre me ato rroga që kanë marr aty”.
Halimi ka deklaruar tutje se ky vendim mund të ndikoj në zbehjen e simpatisë së popullit të Kosovës ndaj amerikanëve.
“Kjo mund të zbehë pak edhe simpatinë e popullit tonë ndaj Amerikës, sidomos të atyre që kanë qenë staf në këto raste ku ka ndikuar direkt në familjet e atyre që ishin duke punuar në këto vende ku janë ndalur financimet”, tha Halimi.
Ndërkohë për këtë cështje ka reaguar edhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se përpjekja e administratës Trump për të shpërbërë Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dëmton interesat strategjike të SHBA-së, dëmton pozitën ndërkombëtare, rrit rrezikun për popullsitë më të cenueshme të botës dhe dëmton padrejtësisht nëpunësit publikë besnikë dhe jopartiakë.
Hovenier ka përmendur edhe investimet e USAID-it në Kosovë, ku ai deri para pak javësh ishte ambasador. Hovenier ka thënë se USAID-i ka kontribuuar në avancimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonet e ish-shkatërruara nga lufta si Kosova.
“Duhet ta di – deri para gjashtë javësh, isha ambasador i SHBA-së në Kosovë – një vend me një mision të madh të USAID-it. Kolegët tanë të USAID-it ishin një pjesë integrale dhe thelbësore e “Ekipit të Vendit” ndërinstitucional që unë drejtova, duke mbështetur përpjekjet tona strategjike për të promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në një cep të pasigurt të Evropës.
“USAID është një mjet i vlefshëm i politikës së jashtme amerikane. Me më pak se 1% të buxhetit federal, puna e kolegëve tanë të USAID-it është një pazar për Amerikën. Kthimi i investimit është i madh me suksese të tilla si: Partneriteti me ushtrinë tonë për të luftuar ISIS-in në Siri, përmbajtja e kërcënimeve shëndetësore në zhvillim si Ebola në nivel global, reduktimi i imigracionit të paligjshëm duke përmirësuar kushtet në vende të tjera, Konkurrimi me Kinën për ndikim ekonomik. Avancimi i sigurisë dhe stabilitetit në rajonet e ish-shkatërruara nga lufta si Kosova”, ka thënë Hovenier në një opinion të publikuar në Belingham Herald. /Gazeta Enigma/