Produkti i akademisë së Bluve, Armando Broja po përjeton një periudhë të shkëlqyer te Southampton ku gjindet në formë huazimi, derisa ka arritur të shënojë pesë gola në 18 paraqitje dhe të bëhet lojtari më I ri që ka arritur këtë shifër ne sezonin aktual të Premier League.
Nënshkrimi i Chelseat me sulmuesin Romelu Lukaku në verë, të cilin e transferoi për 115 milionë euro supozohej të ishte detaji i fundit i një ekipi që do ta fitonte titullin e kampionit këtë sezon. Por Lukaku ka pasur vështirësi për të bërë këtë ndikim te Chelsea, duke shënuar pesë gola në një sezon të prekur nga dëmtimet, dhe skuadra e trajnerit Thomas Tuchel tani gjendet dhjetë pikë larg liderit Manchester City, përkundër që ka një ndeshje më shumë të luajtur shkruan BBC përcjellë ‘Enigma’.
Belgu është ende sulmuesi më i mirë i klubit këtë sezon, por londinezët kanë në listën e tyre një sulmues tjetër që ka goditur rrjetën aq shpesh sa Lukaku. Megjithatë, në vend që të bëjë përshtypje në stadiumin “Stamford Bridge”, ai po bie në sy në bregun jugor. Një produkt i akademisë së famshme të Chelseat, Armando Broja me origjinë angleze po shijon një periudhë të shkëlqyer huazimi te Southamptoni. 20-vjeçari ka pesë gola në 18 paraqitje – lojtari më i ri që ka arritur këtë shifër në sezonin aktual të Premier Leagues – me sulmuesin që po korr shpërblimet e një vendimi për ta kaluar këtë sezon në huazim te Southamptoni. I çmendur pas futbollit qëkur ishte fëmijë duke parë klipet e sulmuesit legjendar të Brazilit, Ronaldos, Broja po jeton ëndrrën e tij në skenën e madhe pasi u shfaq si një nga talentet më të spikatura të sezonit.
I fokusuar që nga momenti kur goditi topin
I lindur në Slough nga prindër shqiptarë, futbolli ka qenë pjesë e jetës së Brojës që prej kohësh. Ai luante rregullisht me kushërinjtë, mamanë dhe tezen në park kur ishte i vogël, dhe ndërsa ishte pjesë e ekipeve të të rinjve të klubeve profesionale, babai i tij e merrte për seanca stërvitore shtesë një me një pasi të mbaronte punën. Broja ishte tepër i shtyrë edhe si fëmijë dhe në moshën gjashtëvjeçare kishte ambicie të luante për më të mirët.
“Unë shkova në disa prova te Readingu”, tha Broja. “Aty shkoi gjithçka mirë dhe më pëlqeu, por në atë kohë po kërkoja një klub më të madh”.
Një periudhë e shkurtër në akademinë e Fulhamit pasoi përpara se të vinte një moment kyç në zhvillimin e tij të hershëm kur ai u pa nga një skaut i Tottenhamit duke luajtur në një turne me skuadrën e tij lokale Burnham Juniors.
“Ai skauti në fakt erdhi për të parë një lojtar tjetër në ekipin tim, por unë përfundova duke fituar çmimin e lojtarit të turneut dhe ai më mori mua në vend të tij, kështu që unë shkova në Tottenham dhe firmosa për ta”, tha Broja.
Por edhe te Tottenhami, kjo dëshirë shkëlqeu. Një tifoz i madh i Chelseat, ai do të bënte gjithçka që do të ishte e mundur për të tërhequr vëmendjen e kundërshtarit sa herë që dy klubet londineze luanin me njëri-tjetrin.
“Ne luajtëm shumë me Chelsean dhe ata më të vërtetë më pëlqyen si lojtarë, dhe atëherë iu bashkova akademisë së Chelseat”, shtoi ai.
I inspiruar nga Ronaldo, i ndihmuar nga Flo
Ashtu si shumica e lojtarëve të rinj, Broja ka marrë frymëzim nga një numër lojtarësh që i ka parë duke u rritur. Një nga kujtimet e tij më të hershme te Chelsea ishte të shihte Didier Drogban të shënonte gola, ndërsa babai i tij i tregonte video të brazilianit Ronaldo kur ai ishte fëmijë.
“Ai ishte thjesht një lojtar i pabesueshëm”, tha Broja për Ronaldon. “Kam parë shumë nga klipet e tij. Ai ishte i fortë, i shpejtë, me dy këmbë, kishte gjithçka. Ronaldo është ai që unë aspiroj të jem”.
Broja iu bashkua Chelseat në vitin 2009 dhe kaloi 11 vjetët e ardhshëm duke përparuar nëpër gjeneratat e reja të klubit. Pasi shënoi 18 gola në 30 paraqitje në nivelin e të rinjve në sezonin 2019/20, atij iu dorëzua kontrata e tij e parë profesionale në shkurt të vitit 2020, përpara se të debutonte me ekipin e parë më 8 mars, kur trajneri Frank Lampard e futi 18-vjeçarin në katër minutat e fundit të fitores 4:0 kundër Evertonit. Ashtu si shumë para tij, Broja u dërgua më pas për të fituar më shumë përvojë dhe u huazua për një vit në ekipin e parë të skuadrës holandeze Vitesse, me ish-sulmuesin e Chelseat, Tore Andre Flo, i caktuar si mentori i tij gjatë kohës së tij jashtë Anglisë. Të dy bisedonin rregullisht ndërsa Broja ishte në Holandë, me norvegjezin Flo që jepte reagime dhe udhëzime pas çdo ndeshjeje që ai e luante. Lëvizja rezultoi e suksesshme pasi ai shënoi 11 gola në 34 paraqitje, duke e bërë atë një nga golashënuesit më të mirë në ligat kryesore të Evropës.
Shqipëria përpara Anglisë
Broja e ka kaluar gjithë jetën e tij në Angli, por me prindërit dhe pjesën më të madhe të familjes së tij nga Shqipëria, ai zgjodhi t’i përfaqësonte ata kur iu dha mundësia. Vendimi i tij mund të jetë ndikuar edhe nga fakti se nuk ka pasur ndonjë interes nga Anglia në nivel të të rinjve, kështu që në maj të vitit 2019 ai u thirr për përfaqësuesen U19 të Shqipërisë. Broja shënoi në debutimin e tij – në një fitore miqësore 3:1 ndaj Kosovës – dhe një muaj më vonë ai u ngjit në U21, duke lënë përsëri përshtypje të menjëhershme me dy gola të realizuar në debutimin e tij në atë nivel. Ai dy golat i shënoi në fitoren 2:1 ndaj Uellsit, pasi hyri si zëvendësues në pjesën e parë. Përparimi ndërkombëtar i të riut ka vazhduar të jetë sa mbresëlënës aq edhe i shpejtë. Ai tani ka 10 ndeshje në nivel të lartë dhe ka shënuar tre gola gjatë kualifikimeve të kupës së botës “Katari 2022.
Ngritja te Southamptoni
Pasi shijoi një sezon të plotë të futbollit elitar, Broja ishte gati për më shumë, por duke pasur parasysh se ende nuk ka vend në ekipin e parë të Chelseat, ai shfrytëzoi mundësinë për t’u bashkuar me Southamptonin në gusht për të fituar më shumë minuta në Premier League. Duke pasur parasysh gatishmërinë e trajnerit Ralph Hasenhuttl për t’ua dhënë rastin të rinjve, kjo lëvizje e Brojës doli e qëlluar pasi ai ka lulëzuar te skuadra e Southamptonit. Pas një fillimi të ngadaltë, Broja është gjallëruar më të vërtetë dhe ka dhjetë gola mbresëlënës në 25 paraqitje për klubin dhe përfaqësuesen, ndërsa forma e tij në një fazë bëri që disa tifozë të Chelseat t’i bënin thirrje klubit ta kthenin sulmuesin shqiptar për t’i sfiduar Lukakun dhe Timo Wernerin për një vend në sulm. Ai bëri përshtypje kundër Manchester Cityt të shtunën e shkuar, duke treguar aftësitë e tij me një goditje të mirë përpara se të shihte që goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje. Me afrimin e mbylljes së afatit kalimtar të janarit, Southamptoni dëshiron të transferojë Brojën, por një lëvizje e tillë, të paktën në afat të shkurtër, do ta bënte që tifozi i përjetshëm i Chelseat të vendoste në një anë ëndrrën e tij për të bërë emër në “Stamford Bridge”. Ditët e ardhshme mund të jenë të mëdha në karrierën e re të Brojës. /Gazeta Enigma/