“Bullgaria po mban peng integrimin e Shqipërisë në BE”, thotë Edi Rama

“Bullgaria po mban peng integrimin e Shqipërisë në BE”, thotë Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për “France 24” ka thënë se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian po minohet për vendin e tij për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut.

Rama tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet sa i përket integrimin në BE, por sipas tij, është një dëm kolateral i situatës konfliktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Po, jemi në një situatë mjaft absurde, për t’ju thënë të vërtetën, sepse për momentin Shqipëria është si një dëm kolateral i një situate konfliktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi ka marrë dritën jeshile jo vetëm nga Komisioni, por edhe nga Këshilli Evropian. Bullgaria ka nxjerrë nga xhepi kërkesat me karakter historik dhe identitar ndaj Maqedonisë së Veriut dhe procesi mbetet i bllokuar, sepse siç e dini, Këshilli Evropian bllokohet lehtësisht vetëm me një veto të njërit prej anëtarëve të tij.

Që prej disa vitesh, Franca kishte një qëndrim më pak entuziast, i cili nuk lidhej me Shqipërinë, apo me problemet e Shqipërisë, por ishte një qëndrim që lidhej me vizionin e presidentit francez, një qëndrim shumë i qartë i shprehur prej tij për nevojën për thellimin e reformave në Evropë në mënyrë që të ecej më shpejt me zgjerimin. Dhe vizioni i tij u shty përmes një metode të re integrimi, e cila pasi kishte miratimin e të gjithë të tjerëve, dhe ja pra.

As presidenca franceze nesër dhe as Franca, Gjermania dhe të tjerët sot nuk kanë forcë ta lëvizin Bullgarinë, nëse vetë Bullgaria nuk pranon të lëvizë nga pozicioni i saj, i cili është një pozicion mjaft i ndërlikuar për t’u shprehur, për t’u shpjeguar këtu, por që e bën procesin edhe më të ndërlikuar duke vendosur mes nesh dhe Bashkimit Evropian një çështje që është qartësisht dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.

Sa i përket korrupsionit në Shqipëria, Rama deklaroi se është ende prezent por krahasuar me situatën e para tetë vjetëve, sistemi i drejtësisë është në një tjetër nivel.

“Ju thatë ‘shumë, shumë korrupsion’, unë do të thosha se Shqipëria ka një problem me korrupsionin, por shembulli që ju sapo dhatë dhe ky nuk është i vetmi, tregon se lufta kundër korrupsionit ka shkuar në një nivel tjetër. Kjo do të thotë se po, në krahasim me Francën ose me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, ne jemi një vend që kemi ende një problem korrupsioni për të zgjidhur, por në krahasim me tetë vjet më parë, nuk ka krahasim. Jemi në procesin e transformimit të plotë të sistemit tonë të drejtësisë dhe kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë një spastrim shembullor të të korruptuarve në sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Related Articles