Deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, i ka bërë thirrje vozitësve që të kenë kujdes gjatë ngasjes në rrugën Gjilan – Prishtinë, pasi siç tha ajo, rruga bëhet e rrezikshme sapo të bie shi.
“Rrugët e Gjilanit bëhen të rrezikshme për qytetarët që marrin rrugën drejt Prishtinës. Edhe ashtu pa shira janë dëmtuar shumë. Rruga për Ferizaj është e tmerrshme”, shkroi Bunjaku-Rexhepi në Facebook, duke shpërndarë një fotografi nga një vetaksident që ka ndodhur sot në rrugën Gjilan – Prishtinë.
Deputetja tha se për çështjen e përfundimit të autostradës Gjilan – Prishtinë e ka pyetur shumë herë ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliun, por se i njëjti nuk i ka dhënë përgjigje.
“Derisa Ministri Aliu para dy ditësh deklaroi se autostrada për Gjilan nuk kryhet këtë vit, unë e kam pyetur jo një herë, as dy por shumë herë se kur kryhet. Tha nuk e di!E kam ngritur zërin edhe shumë herë tjera por kot. Në vesh të shurdhër”.
“Çdo ditë e frekuentoj edhe vetë këtë rrugë, i shoh si të gjithë gjilanasit vështirësitë e mundshme, andaj ju lutem të kemi kujdes se sa për këtë qeveri diletantësh as mirëmbajtja e saj nuk vlen!”, përfundoi deputetja.