Buxhovi: Kurti është kosovocentristi më i madh

Buxhovi: Kurti është kosovocentristi më i madh

Publicisti dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, e ka quajtur kryeministrin e vendit, Albin Kurtin si “kosovocentristin më të madh”.

Buxhovi tha që pozicioni fillestar i Vetëvendosjes ka qenë mospranimi i shtetit të Kosovës.

“Shteti i Kosovës është e arritura më e madhe e shqiptarizmit. Ne duhet ta bëjmë një ridimensionim të kërkesave shqiptare jashtë realitetit politik dhe jashtë interesave gjeopolitike që i ka faktori ndërkombëtar, ai që e ka krijuar shtetin e Kosovës që është SHBA-ja”.

“Do të duhej që kosovocentrizmi të jetë një formulë bazike. VV-ja do të duhej sado që praktikisht  po e mbron shtetin e Kosovës, bile disa qëndrime duken absurde. Kjo pasi që para një viti ose dy e kemi parë që si Kurti me grupin e tij militant  e sulmonte shtetin e Kosovës, nuk e pranonte NATO-n. Por, kur e dëgjova para disa ditësh i fliste elozhet më të mëdha për NATO-n. Pra, tash e kemi ndryshimin. Mund të duket e pabesueshme, por kosovcentristi më i madh tash për tash del të jetë Albin Kurti – në mbrojtje të shtetit të Kosovës dhe këtij konceptit në raport me amerikanët”.

“Na përsëritet situata në kohën kur Thaçi ishte më rugovist se Rugove në disa gjëra. Ose koha kur Demaçi ka qenë separatisti më i madh, në kuptimin pozitiv, sepse ai në fazën e fundit më së shumti e ka mbrojtur shtetin e Kosovës” ka thënë ai.

Related Articles