Gazetari Berat Buzhala ka njoftuar se avokati i tij ka dorëzuar sot një padi për shpifje ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Kjo padi vjen pas deklaratës së Sveçlës, i cili kishte thënë se Buzhala posedon prona në veri të Kosovës, shkruan Enigma.
“Siç e premtova në fillim të kësaj jave, avokati im, Besnik R. Berisha, sot e ka dorëzuar padinë, sipas kërkesës sime, ndaj ministrit të punëve të brendshme Xhelal Sveçla, i cili ka shpifur kundër meje, duke thënë se unë kam prona në veri të vendit, bashkë me Zvonko Veselinoviqin,” ka shkruar Buzhala në Facebook.
Ai theksoi se nuk ka prona në veri dhe se pronat e tij janë të regjistruara vetëm në Veternik të Prishtinës.
“Unë nuk kam prona në veri të vendit, as bashkë me Zvonkon, e as pa Zvonkon. Në Republikën e Kosovës, të vetmen pronë në emrin tim e kam pronën ku e kam shtëpinë në Veternik, dhe kam prona në bashkësi familjare në Çabiq,” ka sqaruar Buzhala.