Njëri prej diamantëve të futbollit të Kosovës në vitet e fundit padyshim se ka qenë Ermal Krasniqi.
Futbollisti nga Malisheva sot e kompletoi transferimin te gjiganti rumun, CFR Cluj falë paraqitjeve të mira me Ballkanin në vitet e fundit.
24-vjeçari raportohet se e arriti transferimin te klubi rumun për shumën e 300 mijë eurove, derisa klubi suharekas do ta mbajë edhe një përqindje të kartonit të tij.
Anësori këmbëshpejt më herët ishte pjesë e grupmoshave të Feronikelit, ku më pas kaloi te Malisheva, e më pas edhe në Llap.
Te Llapi nuk u vlerësua siç duhet, derisa atë e transferoi më pas Ferizaj, nga ku në vitin 2019 u transferua te kampioni aktual i Kosovës, Ballkani.
Trajneri që i dha hapësira dhe që vuri në pah talentin e tij te Ferizaj ishte Bylbyl Sokoli.
“Profa” e kishte vërejtur menjëherë talentin e Krasniqit, derisa për FrontOnline flet për pritjet që kishte për sulmuesin që sot nënshkroi për Clujin.
Ai zbulon se Krasniqin ia kishte ofruar edhe Prishtinës dhe Gjilanit.
“Në Ferizaj ka treguar aftësi të mira. Atë i kemi ofruar Prishtinës dhe Gjilanit, por që transferimi nuk u finalizua”, thotë fillimisht Sokoli.
Me të parë talentin e Krasniqit, Sokoli thotë se ka qenë i bindur për të ardhmen e tij të ndritur.
“Kam qenë shumë i sigurtë pasi është model i mirë për futbollin evropian”, tregoi ai.
Për fund, trajneri i mirënjohur thotë se nuk e sheh gjatë Kransiqin te Cluji.
“Nuk do të qëndrojë gjatë në Cluj. Jam i sigurtë se do të jetë futbollist i niveleve të larta. Do të jetë rrugës së Amir Rrahmanit, Etrit Berishës e të tjerëve. Ai është një futbollist që me disiplinë dhe talent është i kompletuar”, deklaroi të martën për FrontOnline Bylbyl Sokoli.