Cakolli: Votat e diasporës mund të ndikojnë në këto 15 komuna, qoftë në përcaktim të balotazhit, qoftë në renditje të partive

Cakolli: Votat e diasporës mund të ndikojnë në këto 15 komuna, qoftë në përcaktim të balotazhit, qoftë në renditje të partive

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se tashmë ka nisur numërimi i votave të ardhura nga diaspora. Ai ka shkruar se rreth 30 mijë votat e ardhura, ndonëse në total janë pak, ato mund ta ndryshojnë garën në 15 komuna.

Në një postim në Facebook, Cakolli ka thënë se matematikisht, votat e diasporëa mund ta caktojnë balotazhin në disa komuna, por edhe mund ta ndërrojnë renditjen e partive politike.

“Sot ka filluar numërimi i 29,638 vota të ardhura nga diaspora. Ndonëse përbëjnë vetëm rreth 1.4% të totalit të përgjithshëm të votave, ato mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore fatin e garës zgjedhore. Duke supozuar që të gjitha votat do të jenë të vlefshme (zakonisht nuk ndodhë kështu), MATEMATIKISHT, ato mund të ndikojnë drejtpërdrejtë rezultatin e 15 komunave të mëposhtme – qoftë në përcaktimin nëse do të ketë balotazh apo jo, qoftë në renditjen përfundimtare të kandidatëve”, ka shkruar Cakolli.

Postimi i plotë:

Votat jashtë vendit mund ta ndikojnë rezultatin përfundimtar në plot 15 komuna!

Sot ka filluar numërimi i 29,638 vota të ardhura nga diaspora. Ndonëse përbëjnë vetëm rreth 1.4% të totalit të përgjithshëm të votave, ato mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore fatin e garës zgjedhore. Duke supozuar që të gjitha votat do të jenë të vlefshme (zakonisht nuk ndodhë kështu), MATEMATIKISHT, ato mund të ndikojnë drejtpërdrejtë rezultatin e 15 komunave të mëposhtme – qoftë në përcaktimin nëse do të ketë balotazh apo jo, qoftë në renditjen përfundimtare të kandidatëve.

1. Deçani

Kjo komunë mbetet matematikisht e hapur për balotazh. Bashkim Ramosaj (AAK) e siguron fitoren në raund të parë vetëm nëse fiton mbi 33% të votave të diasporës. Në të kundërtën, nëse partitë e tjera marrin mbi 66%, gara shkon në balotazh mes AAK dhe LDK.

2. Gjakova

Ardian Gjini (AAK) mund ta fitojë komunën pa balotazh vetëm nëse merr rreth 90% të votave të diasporës – skenar pothuajse i pamundur.

3. Gjilani

Alban Hyseni (LVV) mund ta mbyllë garën pa balotazh nëse fiton mbi 57% të votave jashtë vendit. Çdo përqindje më e ulët se kjo e dërgon komunën në balotazh.

4. Dragashi

Bexhet Xheladini (LDK) do të duhej të fitonte rreth 85% të votave të diasporës për ta mbyllur garën pa balotazh. Ndërsa Filiz Mustafa (LVV) mund të hyjë në balotazh vetëm nëse fiton rreth mbi 83 % të votave jashtë vendit (pavarësisht si performon kandidati i PDK-së, Shaban Shabani).

5. Kaçaniku

Balotazhi është i pashmangshëm, por votat nga diaspora mund të ndikojë në renditjen e dy kandidatëve kryesorë. Sabedin Vishi (PDK) duhet të sigurojë mbi 21% të votave jashtë vendit për ta ruajtur matematikisht pozitën e parë ndaj Jeton Rakës (LVV).

6. Klina

Zenun Elezaj (AAK) do ta fitonte komunën pa balotazh vetëm nëse siguron mbi 73% të votave nga diaspora. Në të kundërtën, gara shkon në raund të dytë.

7. Kamenica

Matematikisht, balotazhi mbetet i mundshëm. Kadri Rahimaj (LVV) e mbyll garën pa balotazh vetëm nëse fiton të paktën 42% të votave të diasporës. Nëse performanca është më e dobët se kjo, Qëndron Kastrati (PSD) hyn në balotazh me të.

8. Mitrovica e Jugut

Balotazhi është i sigurt, por votat jashtë vendit do të përcaktojnë renditjen mes Arian Tahirit (PDK) dhe Faton Pecit (LVV). Tahiri e ruan vendin e parë nëse fiton rreth 48% të votave të diasporës.

9. Rahoveci

Balotazhi është i pashmangshëm, por diaspora mund të ndikojë se kush hyn në balotazh. Burim Krasniqi (LDK) duhet të fitojë rreth 58% të votave jashtë vendit për ta kaluar Ali Dulën (LVV) dhe për të siguruar vendin e dytë.

10. Prishtina

Komuna do të ketë balotazh mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekos (LVV). Votat e diasporës mund të ndryshojnë vetëm renditjen e dy kandidatëve të parë. Rama e ruan vendin e parë nëse fiton mbi 15% të votave jashtë vendit.

11. Shtimja

Votat e diasporës mund të përcaktojnë nëse do të ketë apo jo balotazh. Qemajl Aliu (LVV) e siguron fitoren në raund të parë vetëm nëse fiton rreth 42% të votave të diasporës. Nëse partitë tjera fitojnë rreth 60% të këtyre votave, komuna shkon në balotazh.

12. Vitia

Balotazhi mbetet i pashmangshëm, por diaspora mund të ndikojë në renditjen përfundimtare. Arsim Ademi (LVV) do të duhej të fitonte rreth 80% të votave të diasporës për ta kaluar Sokol Halitin (LDK).

13. Juniku

Kjo është komuna më e ndjeshme ndaj votave jashtë vendit – ato mund të përcaktojnë nëse do të ketë balotazh, kush del i pari, apo kush i dyti. Ruzhdi Shehu (LDK) e fiton pa balotazh vetëm nëse merr të paktën 55% të votave të diasporës, ndërsa Agron Kuçi (AAK) duhet të fitojë mbi 70% të këtyre votave për ta përmbysur rezultatin përfundimtar. Për ta garantuar vendin e parë në balotazh, pavarësisht shpërndarjes, kandidatit të LDK-së i duhen mbi 42% të votave të diasporës, kurse, atij të AAK-së, për pozitën e njëjtë, i duhen mbi 58% të votave të diasporës.

14. Mamusha

Abdülhadi Krasniç (KDTP) mund të shkojë në balotazh, vetëm nëse ai nuk arrin të fitojë të paktën 45% të votave jashtë vendit. Nëse Fikret Morina (MHH) dhe Agron Mazreku (LVV) fitojnë mbi 55%, komuna shkon në raund të dytë. Në rast se Morina fiton rreth 75% të votave, ai do të shpallet fitues pa balotazh.

15. Hani i Elezit

Në këtë komunë me vetëm dy kandidatë, votat e diasporës janë vendimtare për fituesin. Mehmet Ballazhi (PDK) fiton nëse e ruan epërsinë me të paktën 33% të votave jashtë vendit, ndërsa Rufki Suma e përmbys rezultatin vetëm nëse fiton mbi 67% të tyre.

Related Articles