Partitë politike kanë nisur ta konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja për t`u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato shpallen, ndërsa lidhur me datën e mundshme, ata do ta japin propozimin në takimin me presidenten, pas vlerësimit të të gjitha rrethanave.
“Është e rëndësishme që për herë të parë në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë një qeveri dhe legjislaturë po e mbyllë një mandat të plotë. Kjo falë mbështetjes plebishitare të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara si dhe qeverisjes së mirë dhe legjislativit të suksesshëm”.
“Sa i përket datës së zgjedhjeve, Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk lënë shumë opcione dhe ato opcione ligjore që ekzistojnë e që janë katër data nuk janë larg njëra tjetrës”, tha Alim Rama, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.
E sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se do të marrin pjesë në takim por sipas saj, kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.
“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë”.
“Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, tha Çitaku.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lënë të kuptohet se do të marrë pjesë në takim, por zëdhënësi i partisë ka theksuar se vendimi do të merret të hënën nga strukturat e partisë.