Kryetarja e Gjykatës Specialës, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar panelin e Apelit që do të vendos mbi ankesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ndaj vendimet për ndryshime në aktakuzë.
Këtë e ka bërë të ditur përmes platformës online “Zoom”, shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).
“Kryetarja Ekaterina Trendafilova sot caktoi Kolegjin e Gjykatës së Apelit pas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 8 shkurt, ku pjesërisht pranoi kërkesat e z. Thaçi dhe z. Veseli për ankesë ndaj vendimit të tij të 23 dhjetorit. Në atë vendim, gjyqtari i procedurës paraprake, ndër të tjera, i lejoi ZPS-së që të bëjë disa ndryshime në aktakuzën e konfirmuar në këtë rast”, ka thënë ajo.
Sipas saj, në panel janë caktuar gjyqtari Michèle Picard, gjyqtari Emilio Gatti dhe gjyqtarja, Nina Jørgensen.
Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se trupi gjykues në rastin e Salih Mustafës, duke u bazuar në tre raportet e ekspertëve, ka arritur në përfundim se gjykatat në Kosovë nuk ofrojnë një rrugë reale për viktimat për të kërkuar dëmshpërblim.
“Prandaj, Paneli vendosi që në rast të dënimit në këtë rast, viktimat të mos i referojë në gjykatat civile në Kosovë, por të lëshojë urdhër dëmshpërblimi. Paneli gjithashtu urdhëroi Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë që t’u përgjigjet pyetjeve deri më 16 mars 2022, në lidhje me mënyrën se si mund të zbatohej urdhri për dëmshpërblim i lëshuar nga Trupi Gjykues”, ka bërë të ditur ajo.
Griep ka thënë se më 4 shkurt, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mbyllur rastin e saj në procedurën kundër Salih Mustafës.
“Të njëjtën ditë, Mbrojtja informoi se synon të paraqesë një mocion për të hedhur poshtë një ose të gjitha akuzat në aktakuzë (Rregulla 130). Ky mocion do të dorëzohet më 15 shkurt 2022, ndërsa përgjigjet e ZPS-së dhe avokatit të viktimave do të pritet më 21 shkurt 2022. Paneli synon të nxjerrë një vendim për një mocion të tillë ndërmjet datës 23 dhe 25 shkurt 2022”, ka thënë ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Gazeta “Enigma”.
Ajo ka thënë se pasditen e 4 shkurtit u mbajt seanca paraprake në rastin e Thaçit, Veselit dhe Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, gjatë të cilës janë diskutuar çështjet lidhur me vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, procesin e zbulimit dhe statusin e hetimeve.
Gjithashtu, bëri të ditur se seanca e radhës paraprake për këtë lëndë është caktuar për datën 24 mars në ora 14:30.