Botërori i fundit në karrierë përfundoi keq për Edinson Cavanin. Sulmuesi pretendoi për një penallti në minutat shtesë të takimit ndaj Ganës. Uruguai fitoi 2-0, por nevojitej edhe një tjetër gol për të siguruar kalimin në raundin e 1/8-ve.
Arbitri gjerman Daniel Siebert vijoi lojën, teknologjia nuk ndërhyri, ndërkohë që lojtarët uruguaianë protestuan ashpër dhe u tërbuan për penalltinë e mohuar.
Sulmuesi i Valencias shfryu dufin ndaj monitorit të VAR-it ndërkohë që po futet në dhomat e zhveshjes, por FIFA nuk ka marrë ende një vendim në lidhje me veprimin e tij.
Cavani i është rikthyer episodit të Kupës së Botës Katar 2022. “Nëse do të më dënojnë për goditjen ndaj VAR-it, atëherë arbitri gjerman duhet të burgoset, pasi gabime të tilla nuk mund t’i bësh me VAR.
Unë jam i shqetësuar për një sanksion të mundshëm, sepse do të thotë që do të përjashtohem nga kompeticionet e ardhshme. Në futboll ndonjëherë disa episode të bëjnë të reagosh, ka adrenalinë.
Ne jemi qenie njerëzore. Reagime të caktuara nuk duhet të justifikohen, por duhet të ekzistojë edhe falja“, përfundoi goleadori 35-vjeçar.