Në Kuvendin Komunal të Prishtinës janë përplasur mes vete, asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkocieri, dhe asamblisti i LVV-së, Berat Lahu.
Retkoceri i ka reaguar Lahut pasi ky i fundit ka bërë kritika ndaj qeverisjes në Prishtinë sa i përket pastërtisë në kryeqytet.
Në reagimin e tij, Retkoceri ka përmendur raportimet në media lidhur me dyshimet për përfshirjen e asamblistit të VV’së, Berat Lahu, në rastin “Brezovica”, duke thënë se asamblisti Lahu para se të flasë për pastërtinë e qytetit duhet flasë për pastërtinë e tij duke përmendur raportimet për dyshimet për përfshirjen e Lahut në rastin “Brezovica”.
“Berat Lahu para se të flas për pastërtinë e Prishtinës, duhet të flet njëherë për pastërtinë e tij në lidhje me procesin gjyqësor dhe si i ikur nga drejtësia. Para se me fol për mbeturina ju duhet me fol për akuzën të cilën tash e disa ditë qarkullon në media që je i përfshirë në rastin “Brezovica” dhe akuzohesh për keqpërdorim në pozitën që e ke pas në KESCO, si drejtues që ke qenë aty. Është mirë me sqaru, se për me e ngrit një çështje tjetër duhet me qenë i pastër me vetën një herë. Kur ta sqaroni këtë, hapet rruga me folë për pastërti. Në 2017-ën ka qenë një bord dhe disa aksionarë të cilët janë zgjedhur në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë rast duhet t’i bëni mirë këto llogari dhe të flisni. Kur t’i dëgjojmë këto përgjigje është koha për të diskutuar se a dëshironi me pa Prishtinën më të pastër”, tha Retkoceri.
Pas fjalës së Rektocerit ka reaguar asamblisti Lahu, duke e akuzuar asamblistin e PDK-së për kapje të shtetit, derisa mediat që kanë raportuar i ka quajtur si “organe propagandistike që iu shërbejnë partive të caktuara dhe grupeve kriminale”
“Meqë u qel një çështja, e cila s’ka të bëjë me punën e Kuvendit, por më përket mua si person. Po nisem nga ajo që e the, VV ka 15 vite ekzistencë, e vazhdimisht një çështje e ngrit si shqetësim, çiftin e sojit tënd edhe të mediave, që quhen media e që në fakt janë organe propagandistsike të partive të caktuara dhe të grupeve të caktuara kriminale”, ka thënë Lahu.
Lahu thotë se e ka marrë vesh në media që po kërkohet nga Policia derisa ka mohuar të ekzistojë ndonjë proces kundër tij.
“Berat Lahu kur e ka pa këtë lajm ka qenë në Belgjikë. S’ka pas mundësi teorike. Sado që jeni të tillë dhe e keni kapë shtetin, e keni 1 milion instrumente. Përveç asaj që s’ekziston asnjë proces”, ka thënë tutje Lahu.
Asamblisti i VV’së tutje ka thënë se mediat kanë shpifur në rastin e tij, derisa ka paralajmëruar edhe asamblistin e PDK-së se do të përballet në gjykatë, madje edhe në Gjermani.
“Është shpif prej plotë mediave, përveç dy apo tri mediave që s’e kanë përmend, duhet të jem korrekt, edhe për ata do të pasojë padija, sikur për ty. Përballesh edhe në Kosovë edhe në Gjermani”, ka thënë Lahu./Gazeta Enigma.