Cilat kategori të pensioneve lirohen nga obligimi për paraqitje pas vendimit të Supremes?

Cilat kategori të pensioneve lirohen nga obligimi për paraqitje pas vendimit të Supremes?

Rreth 165 mijë qytetarë në Kosovë janë përfitues të pensionit bazik dhe për të vazhduar marrjen e tij obligohen që çdo gjashtë muaj të dëshmojnë se janë gjallë. Ky proces, i cili synon parandalimin e keqpërdorimeve dhe mbajtjen e një sistemi të rregullt ka hapur debat për mënyrën e zbatimit dhe vështirësitë që u shkakton pensionistëve, sidomos atyre të moshuar, të sëmurë apo që jetojnë në zona të largëta, shkruan Gazeta “Enigma”.

Rreth një muaj më parë Gjykata Supreme ka shfuqizuar disa pjesë të një udhëzimi administrativ që binte ndesh Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.

Ku sipas këtij vendimi disa kategori lirohen nga paraqitja, ndërsa dy të tjera janë të detyruar të paraqiten ende, siç e parasheh neni 24 i ligjit.

Sipas këtij neni shfrytëzuesit e pensionit bazik të moshës dhe shfrytëzuesit e pensioneve të parakohshme duhet të paraqiten në zyrat e caktuara nga Ministria një herë në gjashtë muaj me dokumentet përkatëse të identifikimit.

Ndërsa nga obligimi për t’u paraqitur çdo gjashtë muaj lirohen pensionistët kontributpagues të moshës, ata të paaftësisë së përhershme, ata që marrin pension invalidor të punës dhe pension familjarë.

Pensionistët që marrin pensione bazike të moshës dhe ata që marrin pensione të parakohshme duhet të vazhdojnë të lajmërohen çdo gjashtë muaj.

Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se, në lidhje me aktgjykimin P.A.nr.16/2025, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore.

“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, që kanë të bëjnë me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve. Pas nxjerrjes së aktgjykimit vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë kështu efekt të plotë juridik”, thuhet në njoftimin e tyre. Linku

Tutje “Gjykata Supreme thekson se e ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat. Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera”.

“Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndërsa Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve më 19 janar ka njoftuar se disa kategori nuk e kanë më obligim të paraqiten.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton pensionistët se disa kategori të pensionistëve nuk kanë më nevojë për paraqitje të rregullt para zyreve të pensioneve. Këto kategori janë përfituesit e pensioneve: kontributive, parciale kontributive, dhe familjare”.

Tutje nga ministri kanë  bërë me dije se “pensionistët e kategorive të tjera vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas legjislacionit në fuqi”.

“MFPT ka ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për të lehtësuar shërbimet për pensionistët”

“Ekipet mobile që ofrojnë shërbime në shtëpi për ata që nuk mund të paraqiten fizikisht, në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës; Thjeshtësimin e procedurave për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke eliminuar proceset e panevojshme dhe të lodhshme të rivlerësimit. MFPT mbetet e përkushtuar për të siguruar shërbime më të thjeshta dhe më të shpejta për pensionistët duke ruajtur njëkohësisht integritetin dhe qëndrueshmërinë e skemave pensionale”, njofton ministria.

Related Articles