Çipa për dialogun: Është koha për veprime konkrete, presion të balancuar ndaj palëve, e një plan të qartë

Çipa për dialogun: Është koha për veprime konkrete, presion të balancuar ndaj palëve, e një plan të qartë


Në një kohë kur bota po përballet me një valë të re krizash ndërkombëtare – nga lufta në Ukrainë te konflikti në Lindjen e Mesme, Kosova dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë vlerësohet se nuk janë plotësisht në vëmendjen e Bashkimit Evropian, ndonëse do duhej të ishin, shkruan Gazeta Enigma.

Kosova dhe Serbia, dy vende fqinje të Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të tensionuar, pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, vlerëson se mes tensioneve me të cilat po përballet bota, veprime konkrete, e presion i balancuar ndaj palës kosovare dhe serbe përmes dialogut është i domosdoshëm nga Bashkimi Evropian.

“Duke marrë parasysh zhvillimet madhore ndërkombëtare, por shpeshherë edhe pafuqinë e BE-së për të ndikuar në to, konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një mundësi e shkëlqyer për të “korrur” një sukses. Është koha për veprime konkrete, presion të balancuar ndaj palëve dhe një plan të qartë për ecjen përpara”, theksoi Çipa për Enigmën.

Ai thotë tutje se për Bashkimin Europian zgjidhja e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për shkak të interesit rajonal, por “edhe për të ruajtur besueshmërinë dhe ndikimin si faktor ndërkombëtar”.

“Për Brukselin, zgjidhja e këtij konflikti është strategjikisht e domosdoshme sepse bëhet fjalë për dy vende europiane me aspirata të qarta për anëtarësim, por edhe sepse vetë roli gjeopolitik i Europës varet gjithnjë e më shumë nga aftësia e saj për të menaxhuar sfida të tilla”.

Çipa për Gazetën Enigma po ashtu theksoi se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë më shumë se një mosmarrëveshje e thjeshtë dypalëshe. “Kjo për shkak se ato mbartin mundësinë për destabilizim rajonal dhe për ndikim të aktorëve të jashtëm, përfshirë Rusinë dhe Kinën, të cilat kërkojnë natyrshëm të shfrytëzojnë boshllëqet strategjike të BE-së”.

Përkundër procesit të zvarritur të dialogut, Çipa thotë se “Nëse Ballkani percepton se BE-ja është më shumë spektatore sesa aktore, atëherë do të minohet besimi në proceset e integrimit dhe në rolin ndërmjetësues të Brukselit”.

“Nga BE nuk kërkohet vetëm angazhim, por edhe vizion strategjik për ta adresuar konfliktin. Në vitet e fundit kemi parë se si përpjekjet ndërmjetësuese kanë prodhuar fare pak rezultate konkrete ose zgjidhje reale. Më shumë ka qenë një proces që ka zvarritur vetveten, sesa ka pasur konkretësi”, theksoi ai.

Related Articles