Sekretarja dhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur U.D. presidentes Albulena Haxhiu, pas deklaratës së saj se zgjedhja e presidentit është më e rëndësishme se votimi i ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet!”, ka shkruar Çitaku në një reagim.
Ajo ka thënë se prioritetet përcaktohen nga qytetarët, duke iu referuar protestave të fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në”, ka shtuar Çitaku.
Deputetja e PDK-së ka kërkuar nga institucionet që ta dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe që projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të sillet në Kuvend dhe të votohet pa vonesë.
“Mos bëni politikë. Merrni, për një herë të vetme, vendime në interes të shtetit!”, ka deklaruar Çitaku.
