Përderisa nesër pritet që kryeministri Albin Kurti të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, lidhur me çështjen e presidentit, nga PDK thonë se po presin një ftesë zyrtare për takim.
Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se partia nuk ka marrë ftesë zyrtare nga kryeministri për takim.
“Ne kemi kërkuar që ai të dërgojë një shkresë zyrtare dhe jo të na ftojë nëpër kanale të WhatsApp-it. Përveç emrave, ne kemi kërkuar që para së gjithash të takohemi për parimet”, deklaroi deputetja.
Pas mbledhjes së Kryesisë e cila u zhvillua gjatë kësaj jave, Çitaku deklaroi për klankosova.tv se zgjedhja e presidentit të vendit është një moment shumë i rëndësishëm për demokracinë parlamentare.
“Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë, ndërsa PDK-ja ka vetëm 22 deputetë. Nëse shumica parlamentare është e interesuar për të zgjedhur presidentin, nuk e ka opsion vetëm bashkëbisedimin me PDK-në, por ka edhe mundësi të tjera”, tha nënkryetarja e Kuvendit.
