Çka dihet për tentim vrasjen në Podujevë: Mosmarrëveshja mes familjarëve eskaloi në plagosje e therje me thikë

Çka dihet për tentim vrasjen në Podujevë: Mosmarrëveshja mes familjarëve eskaloi në plagosje e therje me thikë

Pasditen e sotme u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës, ku tre persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa një tjetër ka marrë lëndime pasi është therur me thikë. Sinjali raportoi ekskluzivisht se në konflikt dyshohet se janë përfshirë disa anëtarë të familjes Hoxha dhe të familjes Menxhiqi.

Sipas informacioneve të para, tre personat e plagosur me armë zjarri janë Ferat Hoxha, Arjanit Hoxha dhe Sejdi Hoxha, ndërsa të lënduar dyshohet se kanë mbetur edhe nga pala tjetër, Ferit Menxhiqi dhe Berat Mexhiqi.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka thënë se deri te ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një mosmarrëveshje mes disa familjarëve.

“Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër (4) persona, të cilët janë dërguar për ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa një (1) person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për tu intervistuar”, tha Ulaj.

Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë janë duke i marrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.

Gjendja e të plagosurve

Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Agron Çitaku, ka thënë se dy nga të plagosurit në Lupç janë në gjendje pak më të rëndë ndërsa dy të tjerët janë në gjendje më të lehtë.

“Diku në orën 16:10 kanë mbërri katër raste me lëndime të shkaktuara nga armët e zjarrit. Trajtimi i tyre ka zgjatur deri tani. Prej tyre, dy janë në gjendje pak më të rëndë, dhe dy janë në gjendje më të lehtë”, tha Çitaku para gazetarëve.

FOTO: Tv Dukagjini

Lajmin e ka konfirmuar fillimisht zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Bazuar në të dhënat e deritanishme  në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë).

Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për  ndriçimin e plotë të rastit.”.

Related Articles