Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin e shumë-kritikuar për Komisionin e Pavarur të Mediave, me 59 vota për dhe dy abstenime, shkruan Gazeta Enigma.
Por, çka parasheh ligji për KPM-në, që po shqetëson opinionin publik?
Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.
Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.
Gjoba prej 500-20 mijë euro, sipas draftit mund të dyfishohet ndaj subjektit juridik në rastet kur personi kryen në mënyrë të përsëritur këto shkelje:
1.Kur në mënyrë të përsëritur shkakton interferenca të dëmshme ndaj një subjekti tjetër;
2. Transmeton ose ritransmeton përmbajtje që nxisin urrejtje, dhunë dhe trazira;
3. Transmeton ose ritransmeton përmbajtje që cenon rendin dhe sigurinë publike
4. Transmeton, ritransmeton ose shpërndan në mënyre ilegale të përmbajtjeve programore
5. Nuk dorëzon në afat raportin vjetor në KPM.
Përpos kontrollit të prodhimeve audiovizuele në online ligji synon të rregullojë edhe çështjet e deklarimit të pronësisë dhe çështjet e ndryshimit të pronarëve të platformave të video materialeve dhe mediave online të regjistruara.
Ligji parasheh që platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të publikojnë transparencën e pronësisë dhe përfituesit e fundit.
Në këtë situatë këto subjekte do obligohen të tregojnë që kush janë pronarët finalë të tyre.
Po ashtu ligji parasheh ndalesa për koncentrimin e pronësisë në mediat e licencuara.
Kjo i hapë rrugë ndalesave që një pronar të ketë disa media në pronësi njëherësh.
Ky projektligj, ka marrë shumë kritika, si në Kosovë, ashtu edhe nga organizatat ndërkombëtare.
Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.
Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexhaj, dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë shprehur shqetësimet dhe vërejtjet rreth Projektligjit.
Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë të tërhiqet nga ky projektligji.
Rexhaj ka kërkuar që ky Projektligj të tërhiqet dhe të mos miratohet, ndërsa ka kritikuar Qeverinë e Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij ato nuk i kanë marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Ndërsa, juristja e medias, Flutura Kusari, tha se Qeveria është munduar që fillimisht t’I kontrolloj mediat përmes KPM-së, por kur e pane se diçka e tillë, nuk është e mundshme, e kanë propozuar një lloj regjistrimi, që sipas saj, do të shkaktoj kaos ligjor.
“Qëllimi fillestar i Qeverisë ishte t’i kontrollonte mediat online përmes KPM-së dhe kur e pa që ligjërisht nuk është e mundur e ka propozuar njëfarë regjistrimi por është aq keq i rregulluar sado të shkaktojë kaos ligjor dhe nuk do të funksionojë”, ka deklaruar Kusari.
Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Ioanna Lachana, pati deklaruar se blloku evropian ka avokuar vazhdimisht që Kosova të rishikojë ligjin për KPM-në, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Direktivën e BE-së për mediat audo-vizuale.
“Është thelbësore që Kosova të miratojë ligjin me shpejtësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent, me konsultimet e duhura, ku do të përfshihej shoqëria civile dhe organizatat mediale”, tha ajo.
Por, asnjë diskutim me organizata mediale, nuk është organizuar nga Qeveria, në mënyrë që projektligji të diskutohet publikisht.
Deri më sot, tekstet e publikuara në mediat online monitoroheshin nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk ka gjobitur mediat për gabimet e tyre, por merrte vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoreshin për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.