Prokuroria Themelore në Ferizaj në aktakuzën e ngritur ndaj Rejhan Belës dhe të akuzuarve të tjerë për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika ngrit dyshime për përfshirje në grupe të radikalizuara fetare.
Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka parë Insajderi, nga analizimin e telefonave të të dyshuarve Rejhan Bela, Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi ka nxjerrë në pah gjetje të shumta që lidhen me aktivitetet e tyre në rrjetet sociale.
Gjatë analizimit janë evidentuar kontakte, mesazhe SMS, historik i shfletimit në internet, audio-fajlla, dokumente, fotografi dhe imazhe, si dhe komunikime të dokumentuara në rrjetet sociale TikTok, Snapchat dhe Instagram.
Bazuar në këto ekzaminime, dosja vlerëson se ekziston mundësia që të dyshuarit të jenë radikalizuar ose të jenë shtyrë drejt radikalizimit fetar, potencialisht përmes kontakteve apo përfshirjes në grupe ekstremiste, përfshirë edhe “ISIS”
“Po ashtu, nga Raporti Informues mbi analizimin e telefonave të të dyshuarve Rejhan Bela, Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi, telefonat e të cilëve janë sekuestruar gjatë një plani operativ të realizuar më datë 21.04.2025, rezulton se të njëjtit janë ekzaminuar dhe janë evidentuar disa gjetje, përfshirë kontakte, SMS, historik të internetit, audio-fajlla, dokumente, fotografi dhe imazhe, si dhe komunikime të dokumentuara në rrjetet sociale TikTok, Snapchat dhe Instagram. Në bazë të këtyre ekzaminimeve, ekziston mundësia që të dyshuarit të jenë radikalizuar ose të jenë shtyrë drejt radikalizimit fetar në ndonjë nga grupet ekstremiste, si “ISIS”, për çka janë siguruar fotografi të cilat janë bashkëngjitur këtij raporti dhe sugjerojnë mundësinë e përfshirjes në grupe ekstremiste”, thuhet në dosje.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë në muajin dhjetor për vrasjen e rreshterit Lika.
Pas sigurimit të provave, në dosje figuron edhe një bisedë mes të dyshuarve për vrasjen e policit, Muhamet Lika.
Sipas dosjes, i dyshuari kryesor për vrasje, Rejhan Bela pasi ka privuar nga jeta policin është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka takuar Rilind Muratin i cili dëgjohet duke i thënë “Bravo Ik”.
“…Pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit”….” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi” ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i mituri Rejhan Bela së bashku me të pandehurit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë”, thuhet në dosje.
Haki Bela, vëllai i Rejhan Belës i cili dyshohet se është autori i ekzekutimit, kishte deklaruar në gjykatë se ai përshendetet me familjen e policit Lika. Ai pretendonte se i vetmi fakt është që lokali i tij është në afërsi të vendit të ngjarjes dhe që i bie ta frekuentojë çdo ditë atë rrugë.
“Ai personalisht e përshëndet familjen e viktimës Muhamet Lika, ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur, por shton se mund të ndodh diçka mes familjes së tij dhe familjes së të ndjerit. Shton se është plotësisht i pafajshëm në lidhje me këtë çështje penale dhe i vetmi fakt është që ai e ka lokalin në afërsi të vendit të ngjarjes dhe atë rreth 200 metra distancë, po ashtu shton se shtëpia ku ai banon me stacioni policor ne Kaçanik i kane rreth 100metra distance, dhe se ai e frekuenton çdo dite atë rruge. Ai personalisht e as familja e tij asnjëherë nuk e kanë pasur ndonjë problem me të ndjerin apo me familjen e tij. Kërkon nga gjykata që mundësisht të i caktoj ndonjë mase tjetër për sigurimin e pranisë së tij në procedure, pasi qe është mbajtës i vetëm i familjes dhe tere ekonomia familjare varet vetëm nga ai, dhe nëse eventualisht gjykata mundet të i caktoje masën e arrestit shtëpiak pasi qe ai punon online nga shtëpia”, thuhet në procesverbalin e gjykatës.
