Bekim Çollaku, ish-ministër dhe këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi,e ka vizituar sot në Hagë Thaçin dhe Kadri veselin, nga të cilët ka përcjellë të falat e tyre më të përzemërta.
Çollaku ka shkruar në Facebookun e tij se ish-presidenti Thaçi sot ishte tejet i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, me të cilën bashkëpunoi ngushtë për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit tonë për liri.
“Evokuam shumë kujtime të asaj kohë, nga më të ndryshmet.Sigurisht, të gjithë i kujtojmë ato ditë të rënda për Kosovën dhe popullin tonë. Mirëpo ishin luftëtarët e lirisë, presidenti Clinton, sekretarja Albright, kryeministri Blair dhe shumë mbështetës tjerë që na e mbanin gjallë shpresën se ditët e lirisë po afroheshin”.
“Vërtet është e dhimbshme dhe padrejtësi e madhe të mbahen në paraburgim njerëzit që bartën barrën më të madhe historike për liri 23 vjet më parë”, ka theksuar Bekim Çollaku.“Por, Hashim Thaçi edhe sot ishte shumë krenar. I tillë është edhe Kadri Veseli të cilin e takova gjithashtu sot. Të tillë janë edhe Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjitha ata që po mbahen aty padrejtësisht”, ka shkruar ai./Gazeta Enigma/