Costa: Shpresoj që të largohen masat ndaj Kosovës – është koha për të ecur përpara

Costa: Shpresoj që të largohen masat ndaj Kosovës – është koha për të ecur përpara

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë një konference për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, është lidhur me mundësinë e largimit të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Costa tha se masat janë të lidhura me nevojën për de-përshkallëzim të tensioneve në rajon, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe se shpreson që situata të stabilizohet për të mundësuar heqjen e tyre.

“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dhe ajo që dëshiroj është që sa më shpejt të kemi këtë de-përshkallëzim, e më pas të mund të ecim përpara dhe t’i heqim këto masa. Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë një prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon rregullin se ju jeni plotësisht të angazhuar në këtë rrugë evropiane për të de-përshkallëzuar dhe, siç tha Zonja Presidente dje, për t’u angazhuar në këtë dialog mes Beogradit dhe Prishtinës”, deklaroi Costa.

Ai shtoi se aktualisht është një moment i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe se duhet shfrytëzuar në funksion të paqes dhe integrimit evropian.

“Është një mundësi e madhe për Ballkanin Perëndimor. E mirëpres punën tuaj për dialogun Prishtinë–Beograd dhe pres që përmes dialogut të normalizohen marrëdhëniet mes dy shteteve. Vendi i Kosovës është në familjen evropiane. Është koha që të shfrytëzohen këto mundësi dhe të ecet përpara”, tha ai.

Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj, theksoi se Kosova i ka përmbushur kërkesat e BE-së që lidhen me vendosjen e masave, përfshirë kthimin në dialog dhe organizimin e zgjedhjeve në veri.

“Kur janë vendosur këto masa, rikthimi në dialog dhe zgjedhjet e parakohshme në veri kanë ndodhur. Pra, këto janë plotësuar nga Kosova, dhe në vitin e kaluar Borrell ka kërkuar që masat të largohen, pasi Kosova i ka përmbushur kërkesat”, u shpreh Osmani.

Vizita e Costas në Kosovë është pjesë e një turi rajonal për të riafirmuar përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Related Articles