Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë.
Sipas një komunikate të përbashkët për media, hetimet janë iniciuar me vetiniciativë pas pranimit të informatave publike që lidhen me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu. Gjatë zhvillimit të hetimeve, janë intervistuar gjithsej shtatëdhjetë e dy (72) persona të dyshuar.
“Nëntëmbëdhjetë (19) prej tyre pas intervistimit në polici, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 par.2 të KPRK-së. Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”.
“Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin.”, thuhet në njoftim.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në varësi të rezultateve të procedurës.
