Dallku rrëfehet për “Enigmën” rreth konfliktit Ukrainë – Rusi: Gjithmonë ju kam thënë që rusët dhe serbët nuk janë burra të mirë

Dallku rrëfehet për “Enigmën” rreth konfliktit Ukrainë – Rusi: Gjithmonë ju kam thënë që rusët dhe serbët nuk janë burra të mirë

Tensionet e krizës mes Rusisë dhe Ukrainës kanë filluar për afër dy muaj, shkruan Gazeta Enigma.

Rusia tashmë ka më shumë se 100 mijë trupa ushtarake rreth kufirit me Ukrainën, gjë që ka nxitur reagimet nga Perëndimi për pushtimin e mundshëm të Ukrainës.

Në rajonit e Odesas të Ukrainës jetojnë shumë shqiptarë të cilët thonë se kjo zonë është më e qetë se të tjerat.

Gazeta “Enigma” e ka kontaktuar ish-futbollistin dhe trajnerin e njohur shqiptar, Armend Dallkun, i cili për 12 vite ka qenë pjesë e kampionatit në Ukrainë duke mbrojtur ngjyrat e Vorskla Poltave.

Trajneri ka treguar eksperiencën e tij në shtetin ukrainas. Ish-futbollisti gjithashtu ka folur edhe për tensionet e fundit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Sipas Dallkut, në vitet kur ka qenë pjesë e kampionatit ka qenë e paimagjinueshme një konflikt i tillë.

“Për shumë vite kam qenë pjesë e kampionatit ukrainas, ku në ato vite kur kam qenë pjesë ka qenë e paimagjinueshme një konflikt i tillë. Pavarësisht se ne si shqiptarë e kishim një të ardhme të hidhur nga shteti rus, ku dihet se në luftën e Kosovës ka pasur shumë ushtare rusë. Unë gjithmonë i kam ngacmuar duke ju thënë që rusët nuk janë burra të mirë dhe nuk është ashtu siç mendoni ju, mirëpo ata gjithmonë thoshin që Rusia është nëna jonë”, ka thënë Dallku.

I pyetur për miqtë në Ukraine, ish-futbollisti i kombëtares shqiptare thotë se ka raporte shumë të mira dhe se flet rregullisht me ta.

“Kemi shokë dhe miq sepse nuk është pak të luash për 12 vite dhe mos me mbajt miqësinë. Kam miqësi të gjerë në të gjitha qytetet e Ukrainës, sidomos në qytetet që janë afër kufirit me Rusinë. Klubi ku kam qenë unë është afër 100 km me kufirin rus. Jam në kontakt me shokët dhe ju them nëse shihni ndonjë rrezik duhet të largoheni për të ardhmen e juaj dhe te familjes. Mirëpo, ata nuk e shohin një gjë të nevojshme për momentin, sepse këtë tension e quajnë presion nga televizionet. Sipas tyre situata është e qetë, por nëse ndodh ndonjë gjë normalisht që do marrin rrugë për t’u larguar nga Ukraina në një shtet të Evropës”, ka shtuar Dallku.

Trajneri aktual i KF Dukagjinit ka folur edhe për raportet mes ukrainasve dhe rusëve gjatë kohës kur ka luajtur atje. 38 – vjeçari tregon se qytetarët kanë pasur respekt të jashtëzakonshëm për rusët, duke theksuar se gjithmonë e kanë quajtur ‘Nëna Rusi’.

“Ukrainasit për shtetin rus gjithmonë kanë pasur përshtypje të mira. Siç e thash më lartë ata gjithmonë e kanë quajtur ‘Nëna Rusi’. Mirëpo kur kemi ardhur në një situatë të tillë ata më përkujtojnë bisedën kur i kam ngacmuar për rusët. Njerëzit atje nuk janë të lumtur aspak me klasën politike”, rrëfen Dallku.

Trajneri vushtrrias ka theksuar se në ekip ka pasur gjithmonë futbollistë rusë të cilët kanë qenë zakonisht në prova, kurse në ekipin e parë thotë se ka pasur lojtarë nga Bjellorusia. Sipas tij, trajtimi ka qenë në nivelin e duhur.

“Kemi pasur bashkëlojtarë nga Bjellorusia. Ndërsa, lojtarë nga Rusia nuk kemi pasur futbollistë në ekip, por gjithmonë ka pasur lojtarë në prova. Normalisht janë trajtuar shumë mirë sepse kanë një gjuhë, një kulturë dhe një traditë. Pra futbollistët janë ndjerë si në shtëpinë e tyre. Edhe ne nuk kemi pasur si të sillemi ndryshe, sepse kemi qenë të huaj aty”, vazhdoi Dallku.

Për fund ish-futbollisti ka treguar edhe përshtypjet e ukrainasve për shqiptarët në përgjithësi, ku sipas tij kanë qenë shumë të mira.

“Ukrainasit për shqiptarët kanë përshtypje me plotë bindje shumë të mira. Një popullatë shume e madhe e shqiptarëve të Ukrainës jetojnë në Odesa. Edhe ata kanë shprehur gatishmërinë që t’i bashkëngjiten luftës. Në atë kohë në ekip kemi pasur edhe lojtarë nga Serbia. Edhe për ta kam thënë që nuk janë burra të mirë. Dhe erdhi koha që serbët që janë pjesë e luftës ruse kundër Ukrainës, kurse shqiptarët e përkrahin luftën e Ukrainës”, përfundoi rrëfimin Armend Dallku.

Armend Dallku aktualisht është trajner i Dukagjinit. Më parë ka drejtuar edhe klubin më të trofeshëm në Kosovë, Prishtinën.

Dallku karrierën futbolliste e nisi te skuadra e vendlindjes në KF Vushtrria, ku pastaj u transferua te FC Prishtina. Gjithashtu, karrierë ka bërë edhe në kampionatin shqiptar me skuadrën e Elbasanit.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles