DASH publikon raportin për terrorizëm, çka thuhet për Kosovën?

DASH publikon raportin për terrorizëm, çka thuhet për Kosovën?

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin vjetor për terrorizmin në botë.

Në raport thuhet në gjatë vitit 2020, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre shënuan përparime të mëdha e të rëndësishme kundër organizatave terroriste, por, kërcënimi nga terrorizmi është bërë më i shpërndarë gjeografikisht në rajone anembanë botës.

Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, thuhet në raport, Shtetet e Bashkuara u janë përgjigjur kërcënimeve në zhvillim, përfshirë zgjerimin e Koalicionit Global kundër ISIS-it, që tani numëron 83 anëtarë. Koalicioni punoi për të konsoliduar arritjet në Irak dhe Siri, ndërsa zgjeroi përpjekjet për të kundërshtuar kërcënimin në rritje të ISIS-it në Afrikën Perëndimore dhe rajonin Sahel.

Shtetet e Bashkuara vazhduan të trajtojnë kërcënimet nga terrorizmi i sponsorizuar nga shtetet, duke sanksionuar grupet e mbështetura nga Irani, si Asa’ib Ahl al-Haq në Irak dhe Saraya al-Mukhtar në Bahrein.

Nëntë vende në gjithë hemisferën perëndimore dhe në Evropë, thuhet mes tjerash ne raport, ndërmorën hapa të rëndësishëm në vitin 2020 për të caktuar, ndaluar ose kufizuar Hezbollahun, i cii është sanksionuar edhe në Kosovë.

Në kapitullin për Kosovën thuhet se vendi vazhdoi të luftojë kërcënimin e terrorizmit përmes bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova është anëtare e Koalicionit Global për luftë kundër ISIS-it. Qeveria e Kosovës është duke hartuar një strategji të re të kombinuar dhe plan veprimi kundër terrorizmin ekstremizmit të dhunshëm deri në vitin 2025. Raporti përmend edhe shkarkimin e më pas emërimin e bashkërenduesit të zyrës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Kosova, thuhet në raport, vazhdon të trajtojë zhvillimet që pasuan riatdhesimin në vitin 2019 të katër luftëtarëve dhe 106 grave e fëmijëve nga Siria, një nga riatdhesimet më të mëdha civile deri më tani nga zona e konfliktit.

“Të gjithë të rriturit janë ndjekur penalisht dhe dy nga luftëtarët janë në burg. Gratë dhe fëmijët vazhdojnë të marrin ndihmë për riintegrim nëpërmjet programeve të financuara nga fondet amerikane e evropiane dhe Divizionit të Parandalimit dhe Riintegrimit të Ministrisë së Brendshme. Ky program dhe ministria e Arsimit ndihmuan 37 nga 74 fëmijët e kthyer të regjistrohen në shkollë dhe me mbështetjen ndërkombëtarë, po ndihmon gratë e kthyera në riintegrim dhe punësim”, thuhet në raport.

Tutje, theksohet se nuk ka pasur asnjë incident terrorist të raportuar në Kosovë në vitin 2020.

Kuadri ligjor i Kosovës vlerësohet si ndër më të prirët në Ballkan për ndjekjen penale të individëve të dyshuar për kryerje ose mbështetje të veprimtarive terroriste, por, thuhet në raport, dënimet e shkurtra, lirimet e parakohshëm nga burgu dhe mungesa e mbikëqyrjes së organizuar pas lirimit, ngrenë pikëpyetje për sigurinë afatgjatë.

Raporti vëren se angazhimet e Uashingtonit të 4 shtatorit të vitit 2020 të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë, kodifikuan përkushtimin e Prishtinës për të rritur sigurinë kufitare dhe kontrollin për të ndaluar udhëtimin e terroristëve. Kosova e ka cilësuar Hezbollahun si organizatë terroriste, thuhet më tej.

Gjithashtu vihet re në raport se Kosova nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit EUROPOL, e njohur deri vonë si Policia Evropiane, ndërsa mbetet jashtë INTERPOL-it, pjesërisht për shkak të kundërshtimit të Serbisë dhe marrëdhënieve që ende nuk janë normalizuar ndërmjet të dy vendeve. Aty theksohet edhe bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë amerikane për luftën kundër terrorizmit.

Raporti përmend se më 11 dhjetor, Gjykata Themelore e Prishtinës liroi një grup të pandehurish nga akuzat e lidhura me terrorizmin.

Kjo ishte hera e dytë që të pandehurit u shpallen të pafajshëm nga akuza për terrorizëm, megjithëse u dënuan për posedim dhe tregti armesh.

Rasti që ishte ngritur në vitin 2015 nga prokurorët ndërkombëtarë dhe më pas i kaloi sistemit gjyqësor vendas, duke qëndruar në gjykatat e Kosovës për pesë vjet.

Related Articles