Dedaj: Me pas mujtë, UÇK-së i kisha bërë armë bërthamore

Dedaj: Me pas mujtë, UÇK-së i kisha bërë armë bërthamore

Gjatë dëshmisë së tij të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Gjergj Dedaj tha se po të kishte mundësi, ai do ia kishte bërë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) armët bërthamore që të luftonte kundër Serbisë, pasi kjo e fundit ka vrarë fëmijë, gra e invalidë.

“Jo. Me pas mujtë, UÇK-së i kisha bërë armë bërthamore sepse serbët kanë vra fëmijë, kanë vra gra e kanë vra invalidë”, tha Dedaj.

Kjo deklaratë e Dedajt, erdhi pasi ZPS e pyeti se në fjalimin që kishin mbajtur në Qirez, a iu kishin thënë popullatës që t’i dorëzonin armët.

Lidhur me atë nëse ishte shqetësimi i UÇK-së nëse i kanë thënë popullatës që të dorëzojnë armët, Dedaj tha se ata kanë pasur të drejtë që të dyshojnë.

“Dyshimi është bazë për me ardhë te e vërteta. UÇK ka pas plotësisht të drejtë me dyshu që njoni prej neve, ai grup prej 30-40 veta dikush me pas ndonjë mendim të tillë, por unë flas vetëm për veten”, tha Dedaj.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se Dedaj në vitin 2014 kishte deklaruar se dikush nga UÇK-ja urdhëroi dikë që të lëshojë në radio, në të cilin delegacioni i ka thënë popullatës që të dorëzonin armatimin.

“Ju u përgjigjët: Po, ata menjëherë u ulën dhe dikujt i thanë që ta aktivizonte kasetofonin për të dëgjuar se çfarë kishim thënë ne. Sipas propagandës të cilën ata përsëritën me vonë, ata thanë se kinse ne i kishim thënë popullatës t’i hidhnin armët apo armatimin. Ne shkuam atje për të biseduar me civilët lidhur me nevojat e tyre humanitare, ky ishte synimi jonë. Ata e dëgjuan incizimi, u nervozuan kur dëgjuan se çfarë kishim thënë sepse kasetofoni- incizimi ishte në nivel dhe se nuk e kemi ditur se do të vinin dhe do të dëgjonin incizimin”, tha prokurorja.

Pas kësaj, Dedaj tha se së pari me ftesën që ia ka bërë ZPS-ja, ka bërë padrejtësi.

Related Articles