Këtë të diel në Kosovë do të nis zyrtarisht “Defender Europe 2025”, një nga ushtrimet më të mëdha ushtarake ndërkombëtare të udhëhequra nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Europë dhe Afrikë,raporton Gazeta “Enigma”.
Në këtë ushtrim marrin pjesë rreth 25 mijë ushtarë nga 29 shtete, ndërsa aktivitetet ushtarake do të zhvillohen në gjithsej 18 vende, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Kroacinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Poloninë, Suedinë e të tjera.
Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesëmarrëse aktive, duke treguar gatishmërinë operacionale dhe ndërveprimin me vendet partnere. Ai njoftoi gjithashtu se Kosova është vend pritës i Shtabit të Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikane dhe forcave të armatosura të disa vendeve të rajonit.
Nga e hëna e deri më 9 qershor, Ministria e Mbrojtjes ka paralajmëruar lëvizje të konvojeve ushtarake në drejtim të Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.
“Përmes këtij ushtrimi, Kosova kontribuon në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke e cilësuar këtë pjesëmarrje si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të mëtejshëm në strukturat ndërkombëtare të sigurisë.