“Unë nuk e di që janë punësuar 40 mijë qytetarë nëpër vende të punës në Kosovë, se qe 10 vite 40 mijë persona nuk janë punësuar e jo për dy vjet e për 1 vjet e gjysmë”.
Kështu thotë deputeti nga radhët e AAK-së, Haki Shatri.
Shatri për Gazetën Enigma tha se kryeminsitrit i kanë servuar informata që vetëm e mashtrojnë dhe e dezinformojnë opinionin.
“Kryeministrit i kanë servuar informata që vetëm e mashtrojnë opinionin, e dezinformojnë sepse nëse është zvogëluar numri i njerëzve që paraqitenë byronë e punësimit, atëherë kjo vjen ngase një numër i atyre që janë të papunë nuk janë paraqitur për t’i përtrirë të dhënat çdo tre muaj qysh e një rregullore e byrosë për punë”, tha Shatri.
Sipas Shatrit “nëse një person nuk paraqitet dy herë në tre muaj në byronë për punësim, ai fshihet prej evidencës së të papunëve”, duke theksuar kështu se kjo situatë fatkeqësisht e ka kapluar Kosovën.
“Fatkeqësisht, këtë situatë e kemi ne në Kosovë, ku prej vitit 2020 kur kanë qenë të regjistruar dikun rreth 170 mijë të papunë, ndërsa në vitin 2021 ka rënë numri në 80 mijë dhe edhe në këtë vitë poashtu është zvogëluar i atyre që kërkojnë punë”, tha tutje ai.
Në fakt, Shatri thekson se numri i të papunëve është shumë më i madh se i të punësuarve, por sipas tij statisikat operojnë vetëm me ata që janë paraqitur në organet të cilat evidetojnë listën e të papunëve.
Ai shton se “ky zvogëlim i numrit është vetëm se nuk janë paraqitur njerëzit për t’u evidentuar si të papunë, ndërsa kryeministri zbritjen e numrit po e konsideron si punësim”.
Argumenti tjetër që e demanton Kurtin sipas Shatrit është se në këtë qeverisje po vlerësohet se Kosovën e kanë lëshuar 40 mijë njerëz.
“Në këtë kohë sa e kanë mandatin qeverisës, po vlerësohet se Kosovën e kanë lëshuar 40 mijë njerëz. Nëse, këtë numër Kurti e konsideron që janë punësuar, është gabim. Ata ndoshta janë punësuar atje jashtë, por jo në Kosovë”, tha mes tjerash Shatri.
Gjithashtu, sipas tij “investimet në sektorin publik janë stopuar, investimet në sektorin privat janë ngadalësuar, ndërsa vetëm në ligjin për buxhet kryeministri ka pasur të lira edhe 5700 vende të lira pune të cilat janë buxhetu për t’i plotësuar ato vende pune, gjë që këto vende edhe sot figurojnë të lira”.
Si përfundim, Shatri thotë se deklarimet e Kurtit janë vetëm për t’i hedhur hi syrit të popullit, janë të paqëndrueshme dhe jo serioze.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës ka thënë se gjatë dy vjetëve të fundit sa ai është në pushtet, janë hapur 40 mijë vende të reja pune.
“Qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-gusht 2022 ka shënuar rritje prej 21.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 67.9% krahasuar me vitin 2020. Si rezultat, në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, edhe eksportet me qeverinë e tij janë trefishuar, krahasuar me periudhën kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara.
“Eksportin përgjatë periudhës janar-shtator 2022 e kemi për 25.6% më të lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja mesatare vjetore e eksportit gjatë periudhës janar-shtator të viteve 2008-2020 është 15.7%, ndërsa rritja mesatare e eksportit në periudhën e njëjtë të dy viteve të fundit e gjatë qeverisjes sonë është 47.3%”.
“Pra, me qeverinë tonë eksportet në këtë periudhë janë rritur trefish më shpejt sesa në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara”, ka shtuar ai.
Mirëpo, edhe statistikat në Agjencinë e Punësimit në Kosovë flasin ndryshe, ku në këtë agjensi figurojnë mbi 80 mijë qytetarë si të papunë.
Drejtori i departamentit të punësimit në Agjencinë e Punësimit në Kosovë, Shpëtim Kalludra, ka treguar se një numër i madh i të papunëve të regjistruar janë me përgatitje të lartë shkollore.
Kalludra tha se nuk qëndron pohimi i bizneseve se ka mungesë të fuqisë punëtore, por sipas tij, problem është mungesa e kushteve për punë dhe pagat e ulëta në sektorin privat.
“Duke marrë parasysh që shumica e bizneseve kriter për punëtorë e kanë vetëm shkollën e mesme, mund të themi që kualifikimet profesionale nuk janë problemi. Por ajo çka është problem në ketë çështje dhe sipas analizës sonë, janë kushtet e punës dhe pagat e ulëta.”
Ai po ashtu ka treguar se nga mbi 10 mijë vende të punës që kanë qenë vitin e kaluar kjo agjenci ka ndërmjetësuar rreth 58 për qind të tyre. /Gazeta Enigma/.