Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti për shpërthimin me eksploziv në Ibër-Lepenc

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti për shpërthimin me eksploziv në Ibër-Lepenc

Kryeministri Kurti e ka quajtur sulm kriminal e terrorist shpërthimin e sotëm në Zubin Potok, shkruan Enigma.

Sipas tij, kjo kishte për synim dëmtimin e infrastrukurës tonë kritike.

Ai tha se një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa rrymë e ujë nëse dëmi nuk riparohet.

Tutje, ai tha se do ta takoj edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Barduani, dhe do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Deklarata e plotë para mediave:

Të nderuara media të pranishme,
Të dashur qytetarë,

Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në Kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda, kriminale, terroriste e dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor.

Vetëm ditëve të fundit, patëm sulm me granata dore në stacionin policor në Zveçan më 26 nëntor, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të objektit të Komunës së Zveçanit, e sonte ishte edhe akti më i rëndë ku rreth orës 19:00, në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut, me mjete shpërthyese u dëmtua kanali kryesor i Ibër Lepencit, prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave dhe prodhimin e energjisë elektrike.

Pra një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar. Policia jonë tashmë është në vendin e ngjarjes dhe në krye të detyrës. Furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht, sipas edhe lajmërimeve e njoftimeve nga Kompania Regjionale e Ujësjellësit Mitrovica. Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi, dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë.

U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi udhëzimet e njoftimet nga institucionet e Republikës së Kosovës. Organet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës, rikuperimin e dëmit, dhe zbardhjen e plotë të rastit.

Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe, ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës, kryeqytetit, rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm.

Për bindjen tonë të fuqishme nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë dhe fajësinë, për organizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi përveçse Beogradit zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat me në krye Millan Radojçiqin, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ai u ndalua për t’u liruar dhe tash është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare e kriminale atje, kriminelët e paqes e kriminelët e luftës që e urrejnë Republikën tonë dhe popullin tonë mbarë.

Ky është pra shpërthimi i tretë në tre ditët e fundit, që ka pasur për cak institucionet e vendit tonë dhe është synuar të nxitet frika dhe pasiguria së pari te banorët e katër komunave në veri të Ibrit, për ta përshkallëzuar situatën dhe më pastaj edhe mbarë vendin tonë.

Përpjekjet e këtilla do të ngelen të dëshpëruara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë, sundimi i ligjit, rendi dhe populli e Republika jonë nuk do të mund të mposhten asnjëherë nga askush.

Situata si kjo shpesh janë edhe cak i fushatave të dezinformatave dhe keqinformimit të qëllimshëm, andaj ju ftoj që të jeni të vëmendshëm ndaj lajmeve që i shihni, lexoni, dëgjoni dhe t’i përcillni udhëzimet dhe njoftimet e institucioneve përmes kanaleve zyrtare.

Më lejoni që gjithashtu të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e tyre ndaj vendit tonë.

E menjëherë pas kësaj konference për media unë do ta takoj edhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Barduani, dhe do të mbajmë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Në fund ju bëj thirrje qytetarëve që të refuzojnë të informohen nga disa portale që ata i njohin shumë mirë, e që fatkeqësisht ndonjëra më shumë e ndonjëra më pak janë bërë pjesë të një lufte hibride kundër Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar mbarë. Është e domosdoshme që të refuzojnë qytetarët e vendit tonë të mendojnë si disa opinionistë e disa opozitarë, të cilët i gëzohen, dikush në mënyrë direkte e dikush në mënyrë indirekte, asaj çfarë ndodhi sonte.

Pra duhet ta mbrojmë vendin tonë dhe kjo bëhet duke e dashur vendin tonë dhe kjo bëhet duke refuzuar të dezinformohemi e të keqinterpretojmë çfarëdo që ka ndodhur sonte dhe e rrezikon apo e kërcënon vendin tonë.

Le të jemi bashkë me institucionet e shtetit, me policinë tonë, me organet tona zyrtare të cilat do të na njoftojnë në kohë reale për gjithçka.

Këta kriminelë e terroristë nuk do të na mposhtin neve kurrë, sepse fuqia e ligjit të drejtë në Republikën demokratike të Kosovës do të ngadhënjejë sërish.

Related Articles