Policia e Kosovës si institucioni më i rëndësishëm shtetëror që kujdeset për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit në vend, në muajin shtator ka shënuar 24-vjetorin e themelimit të saj.
Edhe ky përvjetor, i ka gjeutr zyrtarët policorë pa sigurim shëndetësor e jetësor, për muaj me radhë edhe pa shtesa të rrezikshmërisë e pa kushte të dinjitetshme.
Duke qenë përditë në vijë të parë të frontit për të luftuar krimin, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 62 sulme ndaj policëve.
Ndërsa që nga themelimi i Policisë, 22 zyrtarë kanë rënë gjatë punës së tyre në detyrë.
“Jo gjithmonë jemi të furnizuar me pajisje e uniforma të nevojshme… Paga që marrim është modeste, por gjithmonë duke shpresuar se një ditë do të jetë e dinjitetshme dhe do të ketë kushte më të mira pune”.
Kështu një polic i Kosovës rrëfen për REL përvojën e tij mbi 10-vjeçare në Polici.
Ai thotë se shumë kolegë të tij detyrohen të kërkojnë edhe alternativa, si kredi, për t’i shkolluar fëmijët, apo për t’i mbajtur familjet.
Duke dashur të mbetet anonim, ai thotë se nuk e kupton përse institucionet e Kosovës nuk arrijnë t’i përmirësojnë kushtet e policëve – përgjegjësve kryesorë për sigurinë.
Kjo çështje ishte temë debati këtë javë në Kuvendin e Kosovës, por pa ndonjë sukses.
Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk morën pjesë në seancën ku do të shqyrtohej projektrezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës, e cila u thirr nga partitë opozitare.
Dokumenti parashihte shtesa për policët në raste të rrezikshmërisë së lartë, pagesa për sigurim shëndetësor dhe projektligjin për pensionim të parakohshëm – përfitime që aktualisht nuk ekzistojnë.
Ai u hartua gati tri javë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë se policët e Kosovës punojnë në kushte të rënda, me paga të ulëta e pa sigurime shëndetësore.
Atyre që udhëtojnë nga një qytet në tjetrin, nuk u paguhen as shujtat, as shpenzimet e udhëtimit, sipas tij.
“Është jashtëzakonisht e pakuptimtë që nuk plotësohen kërkesat. Thënë në mënyrë figurative, është mbushur kupa”, thotë Zeqiri.
“Inatet politike e kanë vendosur policinë në mes dhe policia po pëson, sepse ajo është apolitike. Nuk merret policia me politikë, policia merret me autorizime ligjore, veprime konkrete, e kryen punën e vet jashtëzakonisht në mënyrë profesionale”, shprehet ai.
Sipas të dhënave të sindikatës që udhëheq Zeqiri, 2.200 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë larguar nga ky institucion prej se është themeluar në vitin 1999.
“Mllefi, pakënaqësitë kanë arritur kulmin. Me këtë pakënaqësi që po e shpreh policia me dorëheqje vullnetare, unë mendoj se dobësohet institucioni i sigurisë në vend”, thotë Zeqiri.