Delegacioni rus arrin për bisedime me ShBA-në në Stamboll

Delegacioni rus arrin për bisedime me ShBA-në në Stamboll

Një delegacion rus arriti të enjten në rezidencën e konsullit të përgjithshëm të ShBA-së në Stamboll për bisedime ShBA – Rusi me qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve për punën e ambasadave të tyre në Uashington dhe Moskë.

Përderisa fusha e bisedimeve është e ngushtë dhe në to nuk do të përfshihet Ukraina, ato do të ofrojnë një test të seriozitetit të të dyja palëve për riparimin e marrëdhënieve dhe punës për t’i dhënë fund luftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ky takim vjen pas një bisede telefonike mes presidentëve Donald Trump e Vladimir Putin më 12 shkurt dhe pas një takimi diplomatik të nivelit të lartë në Arabinë Saudite më 18 shkurt.

Në pushtet për pak më shumë se pesë javë, Trumpi e ka përmbysur politikën e paraardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, i cili ishte munduar ta izolonte dhe ta ndëshkonte Rusinë për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë tani brengosen se shtytja e presidentit amerikan për t’i dhënë fund shpejt konfliktit mund të çojë në një marrëveshje me Moskën që i lë anash ata dhe që e minon sigurinë e tyre.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha se bisedimet e së enjtes, të cilat do të udhëhiqen nga zyrtarë të nivelit punues, nuk do të përfshijnë ndonjë diskutim rreth Ukrainës apo rreth çështjeve politike apo të sigurisë, por prapëseprapë do të shihen si test për synimet e Moskës.

Related Articles