Deliu-Kodra e akuzon Bislimin se i ka shkaktuar dëme Kosovës, ai i kundërpërgjigjet

Deliu-Kodra e akuzon Bislimin se i ka shkaktuar dëme Kosovës, ai i kundërpërgjigjet

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka akuzuar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, se i janë shkaktuar Kosovës dëme të mëdha me qasjen në dialog.

Ajo ka thënë se është një “terr informativ” sa i përket marrëveshjes për targat.

“Konsideroj se i keni shkaktuar dëme Kosovës. Keni shkaktuar situatë, ku s’kemi funksion të institucioneve në veri të vendit. Kemi zero funksionim. Përtej faktit se kemi bërë të mundur funksionimin e pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, kemi zero funksionim tash në atë pjesë. Gjithë këtë e keni bërë brenda një viti, me veprimet tuaja të pamatura. Nuk është dëm i vogël. Kemi dhënë mbështetjen si opozitë për të shtrirë sovranitetin në veri, por duhet të flasim hapur, veriu nuk është i njëjti si para tri vjetëve. Nuk ka funksionim të institucioneve”, ka thënë Deliu-Kodra në Komision për Integrim Evropian.

Ajo po ashtu ka kërkuar nga Bislimi që t’i njohë meritat e opozitës, që ka votuar ligjet e po ashtu marrëveshjet ndërkombëtare.

E Bislimi i është kundërpërgjigjur.

“Zonja Deliu përdori tri fjalë, që i përsërit vazhdimisht. Dështime në dialog, veprime të pamatura, veprime fëmijërore. Sikur ju të kishit çerekun e informacioneve që unë i kam se si është prezantuar Kosova deri në vitin 2021 në dialog, e si përfaqësohet tash, do të turpëroheshit të vinit në këtë seancë. Vetëm çerekun e informacioneve. Por, nëse thirrni në seancë për raportim për proces të dialogut, ju tregoj gjitha të arriturat tuaja në veri. Në sundimin e ligjit, kontrabandën, laboratorët e drogës, rrugët ilegale, përdorimi i dinarit, zgjedhjet e Serbisë në veri, mospagesa e rrymës, mospagesa e tatimit, mospagesa e ujit, targat e Millosheviqit, gjitha ‘të arriturat’ ju numëroj e flas për ‘shkatërrimin’ që u kemi bërë ‘sukseseve tuaja’. Duhet të jetë seancë tjetër, ku krahas ‘të arriturave tuaja ju tregoj shkatërrimet tona’”, ka thënë Bislimi.

Ai ka folur edhe për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, që ka thënë se historikisht është më i miri për Kosovën.

E Deliu-Kodra sërish ka insistuar se veriu më nuk është i njëjti.

Related Articles