Lëvizja Vetëvendosje së fundmi është dënuar me 53 mijë euro gjobë nga 6 vendimet e marra nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Një prej arsyeve ishte edhe ngritja e tre gishtave nga mbështetës të kësaj partie, në tubimin që partia e Albin Kurtit e mbajti në Skënderaj më 27 janar.
Lidhur me këtë kandidatja e PDK-së për deputete të Kuvendit, Blerta Deliu, tha se ngritja e tre gishtrinjëve “nuk do të duhej të ndodhte në asnjë zonë të Kosovës, aq më pak në Drenicë që ka dhënë shumë për Kosovën”.
Këto deklarata ajo i bëri gjatë një interviste në T7, transmeton Gazeta Enigma.
“Është përbuzje e thellë ndaj qytetarëve të Drenicës. Simbolin e paramilitarëve serbë para qytetarëve atje të demonstruar nga aktivistë të LVV-së e shpërfaq më së miri urrejtjen, brutalitetin dhe formën sesi një subjekt politik ka degreduar deri në atë nivel sa të përçojë mesazhe të paramilitarëve në një vend që historikisht ka dhënë shumë për Kosovën”, tha Deliu.
Tutje ai shtoi se ‘është e papranueshme kjo sjelle brutale’.
“Nuk kam menduar se mund të shoh në vitin 2025 nga shqiptarë që mund të ngrisin tre gishta të paramilitarëve serbë”, tha Deliu. /Gazeta Enigma