Ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe Sevillas, Dani Alves, nuk do t’i shpëtojë gjyqit për përdhunimin e dyshuar të kryer në dhjetor të vitit të kaluar, pasi prokuroria refuzoi marrëveshjen e ofruar nga mbrojtja e tij.
Raporti i fundit mbi këtë çështje nga gazeta katalanase Sport, thotë që mbrojtja e Alves e përbërë nga dy avokatë ka hapur bisedimet me prokurorinë.
Sidoqoftë, prokurorja ka refuzuar çdo sugjerim për një marrëveshje të mundshme.
Prokurorja e këtij rasti, Ester Garcia, ka lëshuar një njoftim zyrtar duke mohuar ndonjë marrëveshje me kampin e Alves dhe duke shtuar se dëmi mendor dhe pasojat janë të pariparueshme dhe arritja e një marrëveshjeje është pothuajse e pamundur.
Kjo për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve në lidhje me seriozitetin e fakteve dhe dënimet që do të shqiptohen.
Alves është duke u përballur me akuza për përdhunim që mund të bëjnë që braziliani të shkojë në burg për nëntë vite.
Avokatët e Alves kanë kërkuar lirimin e tij me kusht por kjo kërkesë e tyre është refuzuar në çdo rast, teksa ai ka dëshmuar para gjyqit në katër raste.
Braziliani ka qenë prapa grilave që nga janari i këtij viti dhe tani do të përballet me një seancë gjyqësore.
Garcia gjithashtu shtoi se ata e kuptojnë interesimin e mediave për këtë rast, por kjo nuk do të thotë se i bën ata të publikojnë informacione dhe detaje rreth kësaj çështje.