Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq dhe Aleksander Vlajiq, të akuzuar për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të 2022-ës.
Pantiq u dënua me 2 vjet burgim, Milenkoviq dhe Vlajiq me nga 5 vjet burgim, kurse Miomir Vakiq u lirua nga akuza.
Sipas aktgjykimit, Millenkoviq u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale terroriste dhe u dënua me 5 vjet burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit.
Pantiq pasi iu ricilësua vepra penale, u shpall fajtor për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe u dënua me 2 vite burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Aleksander Vlajiq u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale terroriste dhe u dënua me 5 vjet burgim.
Kurse, Miomir Vakiq u lirua nga akuza. I njëjti lirohet edhe nga shpenzimet e procedurës penale.
Ndërkaq, tre të akuzuarit që u dënuan me burgim, obligohen të paguajnë nga 200 euro për shpenzimet e procedurës dhe nga 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest civil, raporton Betimi për Drejtësi.
Kundër këtijj aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.
Në seancën fillestare të mbajtur më 30 janar 2024, të akuzuarit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihet në barrë.
Ndryshe, sipas aktit akuzues thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.