Dënohet me dy vjet burg Lubisha Milkoviqit për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

Dënohet me dy vjet burg Lubisha Milkoviqit për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

I akuzuari Lubisha Milkoviq është dënuar me 2 vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan në vitin 2023.

Aktgjykimi ndaj Milkoviqit u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, pasi i akuzuari ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, Milkoviq u dënua me 2 vjet burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, kurse për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 14 mijë euro, të cilën detyrohet ta paguajë në afat prej 3 muajsh.

Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë. Ndërkaq, konfiskohen pajisjet dhe sendet e tij që janë përdorur për kryerjen e veprave penale.

Milkoviq u obligua edhe për shpenzimet e procedurës penale dhe atë 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Related Articles